MASHTI e shkëput Kontratën Kolektive me SBASHK-un

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) e ka shkëputur Kontratën Kolektive të nënshkruar në vitin 2021 me Sindikatën e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK).

Sipas njoftimit të MASHTI-t kjo kontratë është shkëputur njëanshëm nga Ministria e Arsimit, bazuar në kornizën ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës, “për shkak të mungesës së bazës ligjore, shpërputhjes me dispozitat e rendit publik dhe mungesës së legjitimitetit të palës nënshkruese”.

Sipas MASHTI-t, kjo ministri e ka marrë këtë vendim për t’i hapur rrugë negociimit të kontratës kolektive të ligjshme, që avancon dhe mbron të drejtat e punëtorëve të arsimit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka për qëllim vendosjen e ligjshmërisë. Mungesa zbatimit të ligjit e me këtë, mbajtja në fuqi të kontratave që kundërshtojnë dispozitat ligjore, nuk prodhon rezultat të dobishëm për asnjërën palë. Përkundrazi, zbatimi i kontratës së paligjshme cenon përmbushjen e te drejtave legjitime të punëtorëve. Rrjedhimisht, MASHTI ka ndërmarrë këtë veprim, për t’i hapur rrugë negociimit të kontratës kolektive të ligjshme, që avancon dhe mbron të drejtat e punëtorëve të arsimit, e që mbërthehet në vetë përkrahjen ndaj punëtorëve të bazuar në nevojat dhe kushtet e punës”- thuhet në njoftim.

KËTU mund ta gjeni njoftimin e plotë MASHTI-t.

Kontrata kolektive për herë të parë hyri në fuqi më 18.04.2017, dhe u vazhdua më 21.01.2021. Këto kontrata kolektive, që konsiderohen ndër arritjet kryesore të sindikatave, janë nënshkruar kryesisht në prag të zgjedhjeve.

Kontrata kolektive ka paraparë përfaqësim të interesit të punëtorëve përmes SBASHK-ut në nivel të politikbërjes në nivel qendror dhe lokal. Përveç kësaj, Sindikata mund të ketë përfaqësim dhe pjesëmarrje në cilësinë e monitoruesit pa të drejtë vote në komisione vlerësuese, në përzgjedhje të punonjësve të arsimit në të gjitha nivelet, nga ai parafillor në atë universitar.

Po ashtu, Kontrata kolektive, punëtorëve të arsimit iu njohu kompensimin mbi bazën e licencimit, për shujtë, udhëtim dhe pagë jubilare. Realizimi i këtyre të drejtave nuk është bërë në mënyrë të njëjtë nga të gjithë mësimdhënësit, sepse punëdhënësi ka refuzuar që t’i zbatojë.

Qeveria e ka nënshkruar Kontratën kolektive, por nuk ka ndarë buxhet për mbulimin e kostove që dalin nga kjo kontratë, prandaj punëtorët janë detyruar që t’i drejtohen gjykatës.