MASHTI do t’i mbështesë me nga 1,000 euro vajzat që studiojnë shkencë, teknologji e inxhinieri

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka shpallur thirrje publike për mbështetje financiare prej 1,000  euro studentet vajza/gra në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (apo STEM në gjuhën angleze) të arsimit të lartë në Kosovë.

Sipas MASHTI-it, kjo thirrje synon ta mbështesë dhe promovojë shkollimin e vajzave/grave që studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë në programet e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës.

“Totali i shumës në dispozicion që do të ndahet për këtë thirrje është 1,000,000 (një milion) EURO, me të cilën do të mbështeten 1,000 studente të fushave STEM me bursa në vlerë prej 1,000 (njëmijë) EURO”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se të drejtë aplikimi kanë studentet që në vitin akademik 2021-2022 regjistrojnë vitin e parë të studimeve në këto fusha në nivelin baçelor dhe që këto studime i vijojnë si studente të rregullta.

“Inkurajohen që të aplikojnë vajzat/gratë nga komunitetet jo-shumicë dhe ato që vijnë nga zonat rurale. MASHTI fton studentet e interesuara të këtyre profileve që të aplikojnë në këtë thirrje”, thuhet në fund të thirrjes.

Për kriteret e aplikimit klikoni KETU.