MAShTI do t’i financojë maturantët për ndjekjen e kurseve në fushën e Teknologjisë Informative

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka shpallur konkurs për subvencionimin e maturantëve për ndjekjen e kurseve në fushën e Teknologjisë Informative.

“Kuponët për kurset në fushën e TI do t’iu ndahen 2000 maturantëve, të cilët jenë shtetas të Republikës së Kosovës, janë nxënës të rregullt në arsimin formal publik në klasën e XII për vitin shkollor 2021/2022. Ndërsa kriteri për të fituar kuponë për kurse të trajnimit në fushën e Teknologjisë informative është nota mesatare e suksesit nga dëftesa e klasës XI”, thuhet në njoftim për media.

Sipas konkursit të shpallur, aplikuesit në rast të kushteve dhe kritereve të barabarta mund të përzgjidhen me short në prani të komisionit vlerësues nga MASHTI dhe përfaqësuesve të shkollave përkatëse.

Vlera e kuponit është 600 euro, ku shuma prej 200 euro ndahet për mbulimin e shpenzimeve indirekte (transporti, ushqimi). 300 euro ndahen për rimbursimin e shpenzimeve direkte (pagesa për regjistrimin e kursit), ndërsa 100 euro ekzekutohen  pas përfundimit me sukses të trajnimit dhe marrjes së certifikatës.

Kuotat për përfituesit e kuponëve do të ndahen proporcionalisht sipas numrit të nxënësve për shkollat e mesme të larta profesionale dhe gjimnaze. Në komunat – shkollat ku ka maturantë të komuniteteve jo-shumicë, të njëjtit mund të përfitojnë deri në 10% të kuponëve në nivel shkolle.

Në komunat – shkollat ku ka nxënës me nevoja të veçanta, të njëjtit mund të përfitojnë masa të kuponëve deri në 10 % .

Konkursi do të jetë i hapur 14 ditë, nga data: 16 nëntor deri më 30 nëntor në ora 23:59.