Ilustrim

MAShTI dhe DKA-të të gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor më 13 shtator

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se ministria dhe drejtoritë e arsimit nëpër komuna janë të gatshëm për të filluar vitin e ri shkollor.

Kështu është bërë e ditur gjatë një takimi virtual në të cilin kanë marrë pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, përfaqësues të drejtorive komunale të Arsimit, përfaqësues të SBAShK-ut dhe ata të Këshillit të Prindërve në Prishtinë.

“Ministrja Nagavci, tha se nga ana e MASHTI-t janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, megjithatë bazuar në situatën epidemiologjike çdo vendim do të merret duke i respektuar rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë”, thuhet në postimin në facebook të ministrisë.

Sipas njoftimit, ministrja Nagavci ka bërë të ditur se është rishikuar udhëzuesi dhe protokollet për mësim në situatë pandemie derisa shtoi se në vizitat që ka zhvilluar në shkolla është informuar se janë të gatshme për fillimin e vitit shkollor.

Ndër të tjera, Nagavci tha se situata epidemiologjike në javët e fundit ka qenë e rënduar dhe vazhdon të mbetet e tillë, derisa përmendi rëndësinë e vaksinimit të mësimdhënësve dhe prindërve.

Besim Avdimetaj, kryetar i Kolegjiumit të DKA-ve, është pajtuar që janë bërë përgatitjet për fillimin e vitit shkollor, ndërsa tha se vaksinimi i mësimdhënësve tashmë është në një përqindje të lartë, por do të merren për bazë rekomandimet e IKShP-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit.

Sipas njoftimit, Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, është shprehur se apeli i kësaj sindikate dhe MAShTI-t për vaksinim ka ndikuar pozitivisht te mësimdhënësit, të cilët janë të gatshëm për të filluar vitin e ri shkollor, me dëshirën që të krijohen kushte për mësim në shkolla, por nëse e imponon situata atëherë do të japin kontributin e tyre të plotë edhe në skenarin online.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Prindërve në Prishtinë, Jeton Demi theksoi se presin që Udhëzuesi të jetë në harmoni me skenarët.

Mësimi në Kosovë nuk ka filluar ende për shkak të rritjes së rasteve më COVID-19. 13 është data në të cilën pritet që të fillojë viti i ri shkollor.

Mësimi pritet të mbahet në bazë të disa skenarëve të cilët i ka hartuar Ministria e Arsimit.

 

Viti i ri shkollor në kohë pandemie do të mund të zhvillohet përmes katër skenarëve