Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi

MAShT rishpallë konkursin për bursa vetëm për një kategori

Një muaj pasi që kishte anuluar konkursin për bursa për këtë vit akademik, ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi sot ka marrë vendim që atë ta shpallë vetëm për një kategori.

Të gjithë studentët me nevoja të veçanta që janë pjesë e universiteteve publike të Kosovës të nivelit Baçelor dhe Master do të mund të fitojnë bursa nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Kjo pasi që ministri në detyrë i këtij dikasteri, Shyqiri Bytyqi ka hapur konkursin për bursa vetëm për këtë kategori për vitin akademik 2019/2020.

Konkursi është hapur sot dhe do të jetë i hapur 4 ditë. Kurse, kushtet e kriteret për fitimin e bursës janë që të jenë studentë të Universiteteve Publike, të jenë në kategorinë e studentëve me nevoja të veçanta dhe të jenë shtetas të Kosovës.

Dokumentet e dorëzuara të studentëve me nevoja të veçanta, sipas konkursit paraprak të datës 28 tetor 2019, janë valide edhe për këtë konkurs, ndërsa të gjithë studentët tjerë, të cilët nuk kanë aplikuar, kanë afat aplikimi 4 ditor, pra deri më datë 23 dhjetor 2019, në ora 12:00.

Në këtë link mund t’i lexoni kushtetet dhe dokumentet që kërkohen për bursë.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), një muaj më parë e pati anuluar konkursin për bursa për shkak të protestave të studentëve të disa degëve të fakulteteve që nuk ishin përfshirë në këtë konkurs.

Studentët e Fakultetit të Arteve kundërshtojnë konkursin për bursa

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vendimin për ndarjen e bursave e kishte marrë me 24 tetor dhe si kriter i ka përfshirë vetëm studentët e fushave të studimit të Bujqësisë-Veterinarisë, FShMN-së, Mjekësi e Përgjithshme, farmaci, stomatologji, teknik dhe shkenca të aplikuara.

Në vendim thuhej se ky vendim ishte marrë në bazë të Udhëzimit Administrativ për ndarjen e bursave, kryesisht të nenit 3, paragrafi 1.4, ku thotë se ministri e përcakton se cilat fusha duhet të përfshihen.

Që nga shpallja e këtij konkursi, studentët e Fakulteteve të Arteve, Edukimit dhe Shkencave Sportive kishin protestuar e bojkotuar ligjëratat si shenjë proteste për përjashtimin e tyre nga këto bursa.