MAShT: Presim që SBAShK-u t'i kompensojë orët e humbura

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, bëri të ditur se Komisioni Parlamentar për Arsim, unanimisht kërkoi nga përfaqësuesit e SBAShK-ut që të bartin në Këshillin Drejtues zotimin për përmbushjen e kërkesave dhe të dalin me një qëndrim, i cili do të qonte drejtë një marrëveshje për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës.

Krahas këtyre zhvillimeve për zëvendësimin e orëve, deputetët u zotuan se do të mbështesin inicimin e procedurave ligjore për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Paga, për ngritjen e koeficientit të mësimdhënësve të nivelit fillor nga klasa 1 deri 5.

Bazuar në propozimet e deputetëve për ndryshimin e formulës së zëvendësimit të orëve, ministri Bytyqi shprehu gatishmërinë për të anuluar formën aktuale të zëvendësimit të orëve, për t’i hapur rrugë një formule të re, e cila garanton zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, me të cilën do të pajtoheshin paraprakisht edhe SBASHK.

“Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, vlerësoi këtë gatishmëri të Ministrit Bytyqi, për të dalë me një formulë të re e cili do të ishte paraprakisht i dakorduar me të gjitha palët. Gjithashtu, z. Kurteshi shprehu zotimet e tij dhe të Komisionit për Arsim për të filluar procedurat për plotësim-ndryshimin e ligjit për paga, pasi që ai të hyjë në fuqi.”, thuhet në njoftimin e MAShT-it.

Pas konstatimit se dy kërkesat e SBASHK-ut do të plotësohen, sipas MAShT-it, u kërkua nga përfaqësuesit e SBASHK që të dalin me një qëndrim të ri, përkitazi me situatën e re të krijuar, pas gatishmërisë së Ministrit për të gjetur një formulë të re për kompensimin e orëve.

Në këtë takim ministri Bytyqi, Komisioni Parlamentar dhe Përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve, deklaruan se orët e humbura gjatë grevës duhet të zëvendësohen.

Pas përfundimit të grevës së SBASHK-ut ku kërkohej rritja e pagave, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi kishte vendosur që të gjithë mësimdhënësit të zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës. Mirëpo, SBASHK-u vazhdimisht ka kundërshtuar këtë vendim, duke thënë se Ligji për Greva ua lejon qe të mos zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës.

MAShT në Facebook

Plotësimi i kushteve të SBAShK-ut hap rrugën për kompensimin e orëve të humbura