Ministria e Arsimit po përgatitet për testin e maturës

Ministria e Arsimit po bën të gjitha përgatitjet për testin e maturës, ku sivjet do t’i nënshtrohen rreth 27 mijë maturantë. Ndërkohë, pritet që të merret një vendim nëse maturantët do të kthehen në shkollë përpara se të organizohet testimi. Gjithashtu, Ministria bëri të ditur se maturantët nuk do të paguajnë shumën prej 5 eurove për të hyrë në test.

Ministria e Arsimit në bashkëpunim edhe me institucionet shëndetësore do të marrë vendim nëse do të kthehen maturantët në bankat shkollore para se të organizohet testi i maturës. Anëtari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Ermal Lubishtani, tha për Radio Kosovën se kjo do të varet nga situata e pandemisë në vend.

“Ne preferojmë që nxënësit të kthehen pak në shkolla, por kjo do të varet nga situata epidemiologjike në vend. Nëse trendi shkon duke u zvogëluar do ta konsiderojmë më seriozisht kthimin e nxënësve në shkolla. Jemi koordinuar edhe me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Ministrinë e Shëndetësisë”, tha Lubishtani.

Lubishtani, bëri të ditur se janë diskutuar të gjitha masat për një mbarëvajtje të këtij procesi, ku është paraparë që 12 nxënës do të jenë në një klasë, ndërsa numri i administratorëve varet edhe nga numri i qendrave të testimit. Ai gjithashtu, njoftoi se maturantët nuk do të paguajnë shumën prej 5 eurove.

“Ne edhe këtë vit kemi vendosur që ajo pagesë të mos bëhet, pra nxënësit nuk kanë nevojë të paguajnë për paraqitjen e provimit të maturës”, tha ai.

Eksperti i Arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Radio Kosovën se beson që  nuk do të ketë ndonjë vështirësi të veçantë gjatë procesit të provimit të maturës, ndërkohë theksoi se organizimi me numër të vogël të nxënësve në klasë do të jetë i mirë.

“Rezultatet do të jenë të mira me një organizim të mirë, me numër të vogël të nxënësve nëpër klasa. Mendoj që do të bëhet e mundur për një administrim të mirë, ku më pak lejohet kopjimi e mashtrimi. Procesi ka kushte që të jetë më i besueshëm” tha Pupovci.

Komisioni Shtetëror i Maturës dhe ekspertët janë duke punuar rreth përpilimit të pyetjeve të testit, ku nga 200 pyetje janë reduktuar në vetëm 100. Javën e parë të korrikut, rreth 27 mijë maturantë pritet t’i nënshtrohen testit në katër lëndë: gjuhë shqipe, matematikë, gjuhë angleze dhe një lëndë zgjedhore./RTK