MAShT: Lajmin për ENQA-n e kemi marrë prej mediave, kërkojmë informacion zyrtar

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka reaguar në lidhje me largimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) , duke thënë se lajmin për këtë e kanë marrë përmes mediave dhe s’kanë informacion zyrtar.

MAShT përmes një njoftimi për media ka thënë se e kanë pranuar me shqetësim këtë lajm.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka pranuar me shqetësim lajmin se Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), ka konstatuar që Agjencia Kosovare e Akreditimit nuk i përmbushë rregullat evropiane për të qenë pjesë e Asociacionit dhe si e tillë nuk mund të jetë pjesë e ENQA-s”,

Ata kanë shtuar se ministria ka kërkuar informacion zyrtarisht nga Agjencia Kosovare e Akreditimit mbi raportin e ri të krijuar mes Agjencisë dhe ENQA-s, e po ashtu edhe për të gjeturat në raportin e Asociacionit, mbi bazën e të cilit është marrë ky vendim.

Megjithatë, KShC sot ka njoftuar zyrtarisht për vendimin e ENQA-s, ndërsa vetë kjo organizatë dje e ka publikuar në faqen e saj vendimin.

Problemet në fushën e përfaqësimit ndërkombëtar të AKA-së nisën në vitin 2017 me vendimne e kryeministrit Ramush Haradinaj në vitin 2017 për të shkarkuar Këshillin Shtetëror të Cilësë.

Fillimisht, AKA u përjashtua nga Regjistri Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) ndërsa iu degradua anëtarësimi në ENQA nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën shqyrtim.

Lidhur me largimin e AKA-së nga ENQA ka reaguar edhe Zyra e BE-së në Kosovë.

Kurse, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka thënë se përjashtimi i AKA-së ka qenë i pritshëm, pasi sipas tyre këto probleme i kanë evidentuar edhe gjatë punës së tyre.

KALLXO.com dje raportoi ekskluzivisht për vendimin e ENQA-s për mos ta vazhduar anëtarësinë e Kosovës.

Agjencia e Akreditimit të Kosovës përjashtohet nga ENQA

www.kallxo.com