Shkolla në fshatin Pozhoran, Viti: Foto:KALLXO.com
MASHTI njoftoi përurimin e dy objekteve shkollore në Viti, i pari i Komunës thotë se projektet nuk kanë përfunduar
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci sot kishte planifikuar që të merrte pjesë në përurimin e dy objekteve shkollore në Komunën e Vitisë. Përurimi i Shkollës Fillore e të Mesme të Ulët “Halil Alidema”, në fshatin Pozhoran të Vitisë, pritej të bëhej në ora 10:00, ndërsa Çerdhja e fshatit Dobresh në orën 11:00.
Ky aktivitet i ministres Nagavci u anulua sot, më 08.01.2025, në orën 09:15. Një njoftim i MASHTI-t i dërguar te mediat, më 08.01.2025, tregon për anulimin e aktivitetit pa dhënë ndonjë arsyetim.
KALLXO.com ka udhëtuar drejtë Vitisë për të marrë sqarime në lidhje me anulimin e këtij aktiviteti të thirrur nga MASHTI.
Përurimi i Shkollës dhe Çerdhes u anulua pasi që të dyja fillimisht nuk kishin përfunduar: as pranimi teknik, madje kishte ende punë për t’u kryer brenda dhe jashtë objekteve arsimore.
Çerdhja në fshatin Dobresh ishte e mbyllur dhe ekipi i KALLXO.com nuk pati qasje në të, por që nga jashtë vërehej se ende nuk është funksionalizuar në tërësi objekti, e madje as nuk është rekrutuar stafi.
Në Shkollën “Halil Alidema” inventari shkollor është parë në klasat e shkollës, hapësira brenda ka përfunduar, ende nuk është bërë pranimi teknik, ndërsa ekipi i KALLXO.com në terren ka parë edhe punëtorët e kompanisë së kontraktuar derisa rregullonin shkallët emergjente të shkollës.
KALLXO.com ka intervistuar kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, në lidhje me këtë çështje.
Ai i tha ekipit se kishte pranuar një njoftim me email në lidhje me përurimin e objekteve, ndërsa kishte refuzuar të merrte pjesë në përurim për shkak të mos përfundimit të procedurave për hapjen e këtyre institucioneve shkollore.
“Unë e kam kuptuar pardje, më 06.01.2024. Me email na është dërguar pak para orës 16:00, edhe pse dje nuk është punu, ka qenë ditë feste. Me u përgatit përurimi i shkollës në Pozhoran dhe Çerdhes në Dobresh.” – tregoi kryetari Haliti.
Ai shtoi se asnjëri nga këto dy objekte nuk i kanë të përfunduara procedurat ligjore.
“Te Çerdhja nuk është ende rekrutu stafi, aspekti teknik,… duhet me u hap Konkursi dhe me u funksionalizu Çerdhja që do bëhet shumë shpejt. Por, jo pa u bë pranimi teknik, pranimi i stafit teknik; inventari me u vendos e të gjitha. Dhe, pra nuk ka pasë kushte për përurim.” – shpjegoi Haliti për KALLXO.com.
Për Shkollën në fshatin Pozhoran kryetari Haliti thotë se ndërtimi është financuar nga Ministria e Administratës Publike dhe ka nisur qysh në vitin 2016.
“Katër Qeveri kanë kaluar nga atëherë. Ndërtimin e ka bërë Ministria, por jo e Arsimit – ajo e Administratës Publike, që tash është në Ministrinë e Brendshme. Pra edhe kjo është çështje në vete, por në aspektin qeveritar nuk kam dashtë m’u marrë a ja huqin ata. Megjithatë, është Ministria. Në rregull jam! Unë jam me bashkëpunu me Qeverinë.” – tha Haliti.
“Por edhe në kuptimin e pranimit teknik të shkollës, janë organet mbikëqyrëse. Pastaj, janë edhe Komisioni për pranim teknik që duhet të bëhet në bashkëpunim edhe me Komunën përfituese dhe me Ligjin për vetëqeverisje lokale. Është Komuna kompetente që duhet t’i kryjë punët e veta.” – tha Haliti.
Çerdhja në fshatin Dobresh nuk është investim i MASHTI-t. Është i Komunës.
“Është dashtë me u koordinu dhe nuk i kisha lanë me i bo këto gabime, sepse unë kam kujdes në procedurat ligjore.” – shtoi Haliti.
Kryetari Haliti e përfoli ngjarjen që lidhet me aspektin politik dhe nisjen e fushatës për Zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen në shkurt. Por, ai tha se nuk vepron jashtë procedurave ligjore as në këto raste.
“Nuk e di qëllimin, por e di që këto janë të dëmshme si rrjedhë, procedurë, si përçarje. Në këtë kuptim niveli lokal dhe qendror duhet me u koordinu rreth aspekteve që janë mbi partiake. Pra arsimi, Çerdhja, Shkollat janë mbipartiake, janë mbi politike, nuk janë për fushatë.” – shtoi tutje Haliti.
Ai theksoi në fund edhe se i është drejtuar personalisht ministres Nagavci me një shkresë, me të cilën e ka njoftuar për situatën e institucioneve shkollore.
“Si duket nuk ka qenë e informuar Ministrja. Kam bërë mirë që e kam njoftuar me shkrim, që ende nuk janë të përgatitura. Dhe duhet që në aspektin profesional duhet me u kry, në mënyrë që me u funksionalizu tërësisht dhe me u bë edhe pranimi teknik.” – përfundon Haliti.
KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga MASHTI, në lidhje me këtë çështje.
Në një përgjigje përmes email-it, MASHTI ka thënë se me Ligjin e ri të Prokurimit, pranim teknik nuk ka më nga ana e investitorit dhe këtë e bën Komuna.
“Investitori i kësaj Çerdheje (në këtë rast MASHTI) i dorëzon Komunës ose DKA-së së Komunës përkatëse certifikimin e përfundimit të punimeve, me ç’rast përfundojnë obligimet e investitorit. Pikërisht kjo ka ndodhur në Drobesh dhe ajo Çerdhe mund të inaugurohet nga dita e sotme.” – thuhet në përgjigjet e MASHTI-t.
Ndërsa, sa i përket Shkollës në Pozharan investitor ka qenë MPBAP dhe sipas MASHTI-t kanë pasur informacione që çdo gjë është gati.
“Në koordinim me Kryetarin e Komunës është vendosur që të anulohen inaugurimet deri në një njoftim të ardhshëm. Sa për sqarim, tash e 6 vjet nxënësit e kësaj Shkolle kanë mësuar me orar të shkurtuar, andaj është shumë e rëndësishme që ky objekt po përfundohet dhe nxënësit nuk do të mbajnë më orën 25 minuta – siç ka ndodhur tash e disa vite.” – përfundon përgjigjja e MASHTI-t.