Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

MASh-i hap konkurs për anëtarë të KShC

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka hapur konkursin për anëtarë të ri të Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), pak kohë pasi ky bord mbeti jofunksional.

Në këtë konkurs kandidatët mund të vetënominohen dhe mund t’i nominojë ndonjë person tjetër.

Konkursi për nominime është i hapur deri më 16 prill.

Bordi i KShC që nga muaji shkurt u bë jofunksional, pasi që 5 anëtarë të saj dhanë dorëheqje, përfshirë këtu edhe tre anëtarët ndërkombëtarë.

Kurse, dje ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci e shkarkoi Binak Beqaj njëri nga anëtarët e emëruar nga ish-ministri, Ramë Likaj.

Aktualisht në bord kanë mbetur tre anëtar: Arta Jakupi, Dukagjin Zeka, Rozafa Koliqi.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë, është organ politikëbërës dhe vendimmarrës i Agjencisë së Akreditimit, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve janë ndërkombëtarë.

KShC merr vendim për akreditim të institucioneve dhe programe të tyre me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, por asnjë vendim i KShC-së për akreditim/riakreditim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar.

Ndërsa, deri tek emërimi i anëtarëve siç parashihet sipas nenit 7, pikës 4 të Ligjit për Arsimin e Lartë, anëtarët e propozuar duhet të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës.