Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

MASh: Do të bëhet testimi i disa mësimdhënsve për COVID-19

Me shtyrjen e vitit të ri shkollor  do të bëhet edhe testimi i mësimdhënësve për COVID-19, si plan i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, Zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj.

“Ne kemi pasur një projekt që kemi kërkuar rreth 5 mijë testime, por ende jemi në negociata me Ministrinë e Shëndetësisë për me bë testime të veçanta mësimdhënësit. Qysh tash, dikun 1 mijë e 500 do të testohen këto ditë.  Testimi është plan i ministrisë dhe bëhet fjalë për teste PCR”, tha Rexhaj.

Një gjë të tillë e tha edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Kulturë dhe Shkencë, Rrahman Jasharaj.

“Është fjala për një pilot program dhe do të jetë një numër i caktuar i mësimdhënësve që do të testohen për COVID-19. Dikun 5 mijë punëtorë të arsimit nga gjithë Kosova dhe do të përpjesëtohet në bazë të komunave, komuna më të mëdha më shumë dhe qëllimi është për të parë nga ky numër sa kanë qenë të infektuar”, tha Jasharaj për KALLXO.com.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës kishte miratuar master-planin e Ministrisë së Arsimit në bazë të të cilit mësimi ishte paraparë  të fillojë më 1 shtator, por SBAShK-u kishte kërkuar që viti i ri shkollor të shtyhet për 14 shtator dhe këtë kërkesë ia kishte aprovuar, Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Megjithatë, edhe pas 7 ditësh ende nuk është publikuar një vendim nga ana e minitrisë, pavarësisht deklarimeve.

Institucionet shkollore në Kosovë ishin mbyllur nga data 13 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.