Masat për coronavirusin: Lëvizja Vetëvendosje mbyll të gjitha zyrat

Disa orë pas janë konfirmuar dy rastet e para me coronavirus në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se si masa parandaluese për coronavirusin, do të mbyllë të gjitha zyret në fshatra dhe qytete.

Në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se do të vazhdojnë punën nga shtëpia përmes mjeteve të komunikimit elektronik.

“Kjo nuk do të thotë se izolimi do të jetë total, pasi do të vazhdojmë të dalim për blerje të ushqimeve, si gjithmonë, por me kujdes më të madh për higjienën. Në shtëpi do të mund të kujdesemi edhe për të moshuarit, por edhe për fëmijët tani që shkolla është ndërprerë”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në njoftimin e tyre, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje që të ndiqen këshillat e specialistëve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Insituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Deri më sot, Kosova ka qenë ndër vendet e pakta që nuk kanë qenë të prekur me coronavirus. Ndërsa sot, pasdite, në një konferencë të jashtëzakonshme, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka dhënë lajmin se janë regjistruar dy rastet e para me coronavirus në Kosovë.

Dy të prekurit kishin ardhur nga Italia, një 77 vjeçar nga Stublla e Vitisë dhe një 22 vjeçare nga Klina.

Përderisa personat që kanë pasur kontakt me 77 vjeçarin në Subëll janë futur në izolim, në Komunën e Klinës, kryetari Zenun Elezaj ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të shtabit emergjent të Komunës.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Lëvizjes Vetëvendosje:

Kujdes, vetëdisiplinim dhe solidaritet

Pas evidentimit të prezencës në Kosovë të virusit CoVid-19 është e domosdoshme që të gjithë ne të ndjekim këshillat e specialistëve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Po ashtu, të gjithë qytetarët, duhet të zbatojmë me disiplinë të plotë masat e komunikuara nga qeveria e Kosovës.

Të prekurve nga virusi u urojmë shërim të shpejtë. Me sa dimë edhe nga vendet e tjera ku ka pasur shumë të infektuar, pjesa shumë e madhe e tyre e tejkalojnë pa problem. Por, duhet vetëdisiplinim, ruajtje e higjienës personale dhe publike, dhe kufizim i lëvizjeve të panevojshme.

Në kuadër të këtyre masave, Lëvizja VETËVENDOSJE! do të mbyllë zyrat e saj qendrore dhe ato nëpër qytete e fshatra. Punën do ta vazhdojmë nga shtëpia, përmes mjeteve të komunikimit elektronik. Kjo nuk do të thotë se izolimi do të jetë total, pasi do të vazhdojmë të dalim për blerje të ushqimeve, si gjithmonë, por me kujdes më të madh për higjienën. Në shtëpi do të mund të kujdesemi edhe për të moshuarit, por edhe për fëmijët tani që shkolla është ndërprerë.

Me vetekufizimin tonë, i ndihmojmë personave që duhet të vazhdojnë punën, e ata janë mjeket dhe punonjësit e shëndetësisë, policet e punonjësit e rendit e sigurisë, bizneset që prodhojnë e tregtojnë ushqimin e gjësendet jetike, si dhe disa shërbime të tjera të domosdoshme. Por, çdo punë, udhëtim dhe zbavitje e cila nuk është e domosdoshme, duhet të ndërpritet, që ta ngadalësojmë shpërndarjen e virusit deri sa ta mundim atë.

Ftojmë aktivistët tanë të shpërndajnë njoftimet zyrtare dhe të njoftojnë çdo qytetar për rregullat e nevojshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit CoVid-19.

Me kujdes, pa panik!