Masat për coronavirusin: Juniku redukton numrin e punëtorëve në Komunë

Shtabi emergjent i Komunës së Junikut sot ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm ku u diskutua situata e krijuar si pasojë e coronavirusit.

Në këtë takim, u mor vendim që si masë parandaluese të reduktohet numri i punëtorëve në Komunën e Junikut.

“Vetëm shërbimet e domosdoshme do të jenë funksionale”, thuhet në njoftimin e Komunës së Junikut.

Zyra e Kryetarit, Drejtoria për Shëndetësi, Drejtoria për Shërbime Publike dhe Inspeksion do të punojë me staf të kompletuar.

“Drejtoria e Administratës, Financave, Zhvillimit Ekonomik dhe e Urbanizmit me staf të reduktuar, ndërsa puntorët tjerë të mos dalin në punë, deri në një vendim tjetër”, vazhdon njoftimi i Komunës.

Po ashtu, Komuna e Junikut ka kërkuar nga Ministria e Shëndetsisë që të pajisen me mjete mbrojtëse elementare QKMF-ja, Policia dhe zjarrëfikësit.

Në Kosovë janë konfirmuar 5 raste me Coronavirus, tri raste në Viti, një në Malishevë dhe një në Klinë. Personat e parë të prekur kishin ardhur nga Italia në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e hyrje daljeve nga tri komunat ku janë shënuar rastet e para me coronavirus ndërsa janë izoluar të gjithë personat të cilët kanë pasur kontakt me personat e prekur me coronavirus.

Si masa parandaluese, Qeveria e Kosovës ka mbyllur të gjitha restorantet, pubet, qendrat tregtare, kafiteritë, ka pezulluar aktivitetet kulturore, ka ndaluar transportit tokësor dhe ndërkombëtar për të gjithë personat që hyjnë në Kosovë, ka ndaluar transportin ndër-urban, etj.

Gjatë ditës së djeshme, BIK-u ka ndaluar faljen e namazit ditor dhe xhumasë në xhami.