Masat ndaj COVID-19: Malishevë, mbyllen 11 lokale dhe inicohet procedurë për 70 persona

Inspektorati komunal në Malishevë dhe Policia e Kosovës, prej fillimit të aplikimit të masave për subjektet afariste dhe lëvizjes së kufizuar të qytetarëve, për shkak të pandemisë, i kanë mbyllur 11 subjekte afariste, si dhe janë iniciuar procedurë për 70 persona fizik, për mosrespektim të këtyre masave.

Kështu ka bërë të ditur sot, drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Malishevës, Dibran Kastrati, bazuar në raportet e inspektimeve të inspektorëve nga fillimi i zbatimit të masave, e deri më sot.

Drejtoria e Inspektoratit në Malishevë, ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve dhe subjekteve afariste, “që në përpikëri ti zbatojnë vendimet për punë të subjekteve afariste dhe për lëvizje sipas orarit të paraparë, ose në të kundërtën do të ballafaqohen me ligjin, për mosrespektim të vendimeve”

“Qëllimi i vendimeve për kufizim në lëvizje, si dhe për mënyrën e funksionimit të subjekteve afariste, është mbrojtja e jetës së banorëve, si pasojë e prezencës së virusit korona (COVID-19)”, thuhet në njoftim.

Komuna e Malishevës ka bërë të ditur se bazuar në rezultatet e testimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, edhe dy pacientë nga kjo komunë janë shëruar, duke e çuar numrin e të shëruarve në 60 persona.

Në Malishevë deri më tani nga 76 të prekur me coronavirus, 60 pacientë janë shëruar, kurse në shërim e sipër janë edhe 15 persona. Ndërsa një person ka vdekur nga ky virus.