Foto-ilustrim

Masat ndaj coronavirusit, edhe 4 të arrestuar në Pejë për hapje të lokaleve

Sot janë arrestuar 4 persona në rajonin e Pejës për mosrespektim të dispozitave që parasheh legjislacioni i Kosovës për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse, në këtë rast virusi COVID-19.

Me këta 4, numri i të arrestuarve në Pejë për të njëjtën vepër ka shkuar në 16.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurori Ersan Qavolli.

“Sot është ndaluar edhe një person për shkak të hapjes së lokalit në Pejë në kundërshtim me vendimet e Qeverisë. Brenda në lokal janë hasur disa persona duke konsumuar pije të ndryshme, ashtu që rasti është hapur për vepër penale mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë nga neni 250 të KPRK-së”, tha Qavolli për KALLXO.com.

Prokurori tha se për të njëjtat rrethana janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë në Istog.

Prokuroria në Pejë ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj gjithë atyre që nuk respektojnë vendimet e Qeverisë.

KALLXO.com ka raportuar edhe për arrestimin e 12  personave të tjerë në këtë qytet.