Peja. Foto: Kallxo.com

Masat ndaj coronavirusit, arrestohet një pejan për hapje të lokalit

Sot është arrestuar edhe një person në qytetin e Pejës për mosrespektim të dispozitave që parasheh legjislacioni i Kosovës për mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse, në këtë rast virusi COVID-19.

Më këtë person numri i të arrestuarve në Pejë për të njëjtën vepër ka shkuar në 17.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurorja Lumturije Vuçetaj.

“Sot është ndaluar edhe një person për shkak të hapjes së lokalit në Pejë në kundërshtim me vendimet e Qeverisë. Të njëjtit i është tërhequr vërejtja paraprakisht por prapë e ka hapur lokalin, ashtu që rasti është hapur për vepër penale mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë nga neni 250 të KPRK-së”, tha Vuçetaj për KALLXO.com.

Prokuroria në Pejë ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj gjithë atyre që nuk respektojnë vendimet e Qeverisë.

KALLXO.com ka raportuar edhe për arrestimin e 16 personave të tjerë në këtë qytet.