Masat lehtësuese që Qeveria pritet të miratojë sot

Qeveria e Kosovës, pritet që sot të miratojë masat e reja antiCOVID-19. Dje ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bëri të ditur se nga e hëna, më 27 shtator do të hyjnë në fuqi masat e reja lehtësuese kundër COVID-19, duke paralajmëruar për sot miratimin e tyre në mbledhjen e Qeverisë.

“IKSHPK konstaton se situata epidemiologjike me COVID-19 aktualisht shënon rënie të rasteve të reja pozitive dhe numrit të vdekjeve por megjithatë është akoma jo stabile, duke pasur parasysh se varianti Delta është dominues në qarkullim në Kosovë. IKSHPK përkundër situatës rekomandon vigjilencë dhe vazhdimin e disa masave në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e COVID-19”, deklaroi ministri.

Megjithatë, Vitia tha se duke pasur parasysh se një numër i madh i qytetarëve janë vaksinuar, atëherë një pjesë e masave do të jenë në ketë drejtim:

– Institucionet shtetërore dhe institucionet private detyrohen të paraqesin certifikatën e vaksinimit para hyrjes ku operojnë, përfshirë: Qendrat tregtare; Call center; Gastronomia në ambientet e brendshme;  Dhe të gjithë punonjësit në institucionet publike dhe private që kanë punë me palë.

– Shkollat dhe çerdhet do të hapen nga dita e hënë, 27 shtator (maksimumi i nxënësve do të jetë 20)

– Aktivitetet  sportive mund të kenë prani të shikuesve deri në 10 për qind të kapaciteteve në ambientet e brendshme, duke pasur certifikatën e vaksinimit ose një nga 3 dëshmitë alternative; pra testin PCR, serologjik ose testin rapid antigjen. Kurse, në ambientet e jashtme deri në 30 për qind të kapaciteteve.

Ministri Vitia: Shkollat dhe çerdhet hapen të hënën