Masat kundër COVID-19: Vendimi i Qeverisë për aktivitetet sportive dhe kulturore

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, e cila është mbajtur online, është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për masat e veçanta për mbrojtjen nga pandemia e COVID-19.

Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e situatës emergjente me Coronavirus – COVID -19, ka vlerësuar dhe i ka dhënë rekomandimet për Ministrinë e Shëndetësisë, përkatësisht për ndërmarrjen e masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Me këtë vendim janë lejuar aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura, stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; në hapësirat e mbyllura, gjatë stërvitjes mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa në organizimin e garave mund të marrin pjesë deri ne 50 persona, bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, të bazuar në Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID -19.

“Matja e temperaturës është e detyrueshme gjatë hyrjeve në objekte të mbyllura sportive si dhe në hapësirat e hapura sportive”, theksohet në vendim.

Po ashtu janë lejuar fitneset si dhe pishinat e mbyllura për aktivitetet individuale rekreative duke shfrytëzuar vetëm 40 % të hapësirave, në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID -19.

“Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekte”, vazhdon vendimi.

Ndërsa lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave, Teatrove, Bibliotekave, Filarmonisë, Galerive, Ansambleve, Baleti, Kinemave, Qendrave Rinore, Muzetë, Qendrave të Kulturës me grupe, duke shfrytëzuar vetëm 30 % të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse.

“Përqindja e shfrytëzimit të hapësirave do të vlen për të gjitha aktivitet si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime, gjithmonë duke u bazuar në përputhje me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID -19. Matja e temperaturës është e detyrueshme për të gjithë gjatë hyrjeve në objekt”, thuhet në vendim.