Masat kundër COVID-19, Qeveria nuk lejon ende organizimin e dasmave

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që edhe më tej të mos lejohet organizimi i dasmave.

Ky ndalim i organizimit të dasmave është pjesë e masave që u morën sot për mbrojtje nga COVID-19.

“Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 30 persona (mbledhjet, seminaret, trajnimet). Pavarësisht numrit të personave, mbajtja e pritjes për ngushëllim/krye shëndoshë dhe organizimi i dasmave ndalohet”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Përjashtim nga kjo pikë bëjnë mbledhjet e Kuvendit të Kosovës, mbledhjet e Qeverisë, apo mbledhjet me interes të veçantë publik, të cilat lejohen pavarësisht numrit të personave.

Qeveria po ashtu ka marrë vendim që të lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, jo më shumë se 30 persona.