Masat kundër COVID-19, politikanët megjithatë bëjnë vizita për ngushëllime

Nga fillimi i masave parandaluese për COVID-19, qytetarëve nuk po iu lejohet të marrin pjesë në ceremoni mortore apo vizita ngushëllimi përveç në rrethin e ngushtë.

Megjithëkëtë, liderët kosovarë nuk po i zbatojnë këto rregulla.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka shkuar për ngushëllime tek familja Zhitia në Llugë, me rastin e vdekjes se Sylë Zhitisë – vëllai i dëshmorit Afrim Zhitia dhe zyrtar i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Fotografitë nga kjo vizitë i ka publikuar Naim Zhitia në rrjetin social “Facebook”.

Albin Kurti në vizitë për ngushëllime te familja e Sylë Zhitia/ Foto: Naim Zhitia Facebook

Ndërkaq, ditë më parë, përkatësisht me 19 maj edhe ish-kryeministri njëherësh lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj bashkë me një delagacion, ka qenë për ngushëllime  te familja e Sylë Zhitisë.

Përveç kësaj, Haradinaj nuk ka shkuar i pajisur me masa mbrojtëse ndaj coronavirusit. Në fotografitë e publikuara nga vetë ai, shihet duke u përshëndetur me familjarët e kësaj familje pa doreza, maskë dhe pa respektuar distancën sociale.

Ramush Haradinaj në vizitë për ngushëllime te familja e Sylë Zhitia Foto: Facebook
Ramush Haradinaj në vizitë për ngushëllime te familja e Sylë Zhitia/ Foto: Facebook

Kurse, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri kishte shkuar për ngushëllime më 4 maj te familja e Agon Musliut, 26-vjeçarit që ndërroi jetë te konviktet në Qendrën e Studenteve, por ndryshe nga Haradinaj, Haziri ka respektuar masat parandaluese.

Që nga shpërthimi i COVID-19 në Kosovë, në mesin e masave të tjera janë ndaluar të pamet, përveç në ditën e varrimit ku lejohen vetëm anëtaret e familjes së ngushtë.

Deri më tani në Kosovë janë shënuar 1032 të infektuar prej tyre 785 të shëruar dhe 29 viktima.