Masat e reja të qeverisë do të jenë në fuqi për dy javë rresht

Masat e reja të miratuara nga ana e Qeverisë së Kosovës kundër COVID-19, do të jenë në fuqi për dy javë rresht.

“Ky vendim do të vlerësohet pas dy jave, varësisht nga situata epidemiologjike në vend, dhe vlen deri në një vendim tjetër”, thuhet në vendimin e ekzekutivit.

Me këto masa, varësisht se në cilat zona të rrezikshmërisë gjendjen komunat e vendit, është e përcaktuar edhe karantina dhe puna e lejuar e gastronomisë.

Vendimi hynë në fuqi të premten në ora 18:00.

Sipas këtij vendimi, personave mbi moshën 65 vjeç iu lejohet dalja jashtë shtëpisë gjatë orarit 6:00-10:00 dhe 16:00-19:00, ndërkaq jashtë këtij orari kanë të drejtë të dalin vetëm për nevoja emergjente dhe shëndetësore.

Gjithashtu, vendimi e përcakton se ndalohet grumbullimi i më shumë se 5 personave në sheshe publike, parqe dhe vende publike, me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim.

Sipas vendimit të qeverisë, ndalohen të gjitha tubimet publike, përfshirë seminaret, punëtoritë, dasmat dhe ahengjet familjare, ceremonitë dhe veprimtaritë fetare (përveç familjes së ngushtë), si dhe çfarëdo forme tjetër e organizimit me përjashtim të rasteve të lejuara me këtë vendim.

Kurse, për komunat me rrezik të ulët të përhapjes së infeksionit (deri në 75 persona të infektuar për 100,000 banorë brenda javës), vlejnë masat si në vijim: Operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”; Transporti publik lejohet të punoj duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”; Taksitë lejohen të punojnë me një (1) pasagjer prapa ose deri në tre (3) nëse janë anëtarë të familjes, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid19”; Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”; Veprimtaria e hotelerisë dhe gastronomisë ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Gjithashtu, lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të MKRS dhe komunave (teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), duke shfrytëzuar vetëm 30% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime), duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”; Lejohen aktivitetet sportive në hapësira të mbyllura dhe të hapura; stërvitjet dhe garat mund të organizohen në sportet individuale; gjatë stërvitjeve në hapësirat e mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa gjatë garave mund të marrin pjesë deri në 50 persona bazuar në protokolle dhe udhëzime vendore dhe ndërkombëtare sportive, si dhe duke u bazuar në “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”; Lejohen fitneset dhe pishinat e mbyllura për aktivitete individuale rekreative duke shfrytëzuar vetëm 40% të hapësirave/sipërfaqeve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”.

Vendimin e plotë të qeverisë e gjeni KËTU.