FOTO-Ilustrim

Masat e reja në Shqipëri, ora policore nga ora 20:00

Nga sot, Shqipëria do të mbyllet gjatë fashës orare 20:00-06:00 për dy javë rresht, deri në datën 25 shkurt.

Një vendim i tillë vlen për lëvizjen e njerëzve, por edhe për baret e restorantet, të cilat janë konsideruar si vatra kryesore të përhapjes së infeksion.  Qytetarët nuk do të mund të qarkullojnë më në rrugë pa një leje të posaçme apo pa maskën e vënë që është e detyrueshme.

Pas universiteteve, Komiteti i Ekspertëve ka marrë vendimin që të mbyllë edhe shkollat e mesme në ato qytete ku shkalla e infeksionit është më e lartë. Kështu, gjimnazistët në Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamzë do t’i zhvillojnë orët e mësimit online. Nga kjo skemë, ndryshe nga ç’është vepruar më herët, nuk janë përjashtuar as maturantët.

Më herët mësimi në shkollat e mesme është zhvilluar i alternuar, por tashmë të gjithë gjimnazistët e zonave të rrezikuara kalojnë online, bashkë me maturantët.

Kryeministri Edi Rama, ditën e djeshme tha se të gjithë duhet t’i respektojnë këto masa, përfshirë këtu edhe partitë politike, pasi nuk do të ketë asnjë tolerim. Masat do të qëndrojnë në fuqi deri më 25 shkurt, 2 javë shumë të rëndësishme i ka cilësuar ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, pasi në varësi të tyre do të vlerësohet nëse do të ketë lehtësim ose jo në vijim./TopChannel