Plazhi i Ranës së Hedhun në Shëngjin | Foto nga Trip & Travel Blog / Flickr

Masat e reja në Shqipëri gjatë sezonit turistik, ndalohet shijimi i ushqimit me gishta

Shqipëria ka publikuar protokollin e  masave anti-COVID-19 gjatë sezonit turistik 2021.

Këto masa duhet të respektohen nga bizneset dhe pushuesit gjatë sezonit turistik të verës.

Në bazë të këtij vendimi ka rregulla edhe për shërbimin në plazhe.

Veç respektimit të higjienës dhe distancës, në hapësira publike ndalohet shijimi i ushqimit me gishta.

Sipas këtij protokolli, menaxhimi i sipërmarrjes turistike duhet të promovojë sigurinë dhe higjienën e ushqimit për personat që përgatisin dhe shpërndajnë ushqimin.

Mes tjerash thuhet se në marrjen e shërbimeve në ambientet e stacionit të plazhit, duhet të respektohet gjithmonë distanca prej 1.5 metra.

“Ruani gjithmonë distancën edhe gjatë shëtitjeve në plazhe, bregun e detit, liqenit, lumit apo përgjatë shëtitoreve”, thuhet në protokoll.

Protokolli është përgatitur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri.

Shumë qytetarë nga Kosova pritet të kalojnë pushimet verore në bregdetin shqiptar.