Masat e reja - Loja me shifrat e infektimeve me COVID-19 në Mitrovicën e Jugut

Në hartën e publikuar nga kryeministri Avdullah Hoti për masat e reja, Mitrovica e Jugut dhe Mitrovica e Veriut qëndrojnë të hijezuara me ngjyrë të kuqe, që do të thotë gjenden në zonën me rrezikshmëri të lartë të infektimit me COVID-19, Mirëpo, kjo bie në kundërshtim me raportet ditore të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike për shifrat e të infektuarve me COVID-19.

Në hartën dhe tabelën me të dhëna për të infektuarit me COVID-19, në 100 mijë banorë, nga data 2 deri me 8 nëntor, figurojnë 150 të infektuar në Mitrovicë të Jugut, ndërsa rastet në Mitrovicë të Veriut nuk janë raportuar fare.

 

 

Ndërsa, në kundërshtim me këtë numër bien shifrat ditore të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ku në bazë të matjeve, 81 persona janë infektuar për shtatë ditë në Mitrovicë të Jugut, ndërsa rastet në Mitrovicë të Veriut janë zero, njësoj sikurse në komunat tjera me shumicë serbe, në të cilat rastet janë të pa raportuara.

Kryeministri Avdullah Hoti sot në një konferencë për media tha se që nga sot do të jenë të dhënat e të gjitha komunave, përfshirë edhe komunat me shumicë serbe.

Vendimin për vendosjen e orës policore në Mitrovicën e Jugut e kundërshtoi mbrëmë kryetari Agim Bahtiri përmes një shkrimi në Facebook, ku tha se pas takimit me ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, ai ia ka konfirmuar se këtë javë Mitrovica e Jugut është në zonën e verdhë dhe nuk ka orë policore.

Sipas tij, ministri Zemaj është dakorduar që të përgatitet vendimi për qytetin e Mitrovicës së Jugut që këtë javë të vazhdoj të jetë në zonën e verdhë, i cili presin të publikohet sot.

Pas njoftimit të Bahtirit, mbrëmë ka reaguar në Facebook, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti duke e quajtur çështje negociatash dhe bindjesh dakordimin mes Zemajt dhe Bahtirit për ta vendosur Mitrovicën e Jugut në zonën e verdhë.

”Mitrovica e Jugut është në zonën e kuqe, por pas takimit të kryetarit Bahtiri me ministrin Zemaj, ata janë dakorduar që edhe këtë javë të mbetet e verdhë sepse sipas Bahtirit “e kemi bind që nuk duhet të jemi në zonën e kuqe”, ka shkruar Ahmeti.

“Komunat me rrezik të mesëm – nga 76-150 persona të infektuar për 100 mijë banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të verdhë)”, thuhet në vendimin e Qeverisë të miratuar dje.

Ndërsa, në zonën me rrezikshmëri të lartë hyjnë komunat që kanë mbi 150 persona të infektuar për 100 mijë banorë brenda një javë (kategorizohen me ngjyrë të kuqe).

Sipas vendimit, çdo javë, IKSHP-ja dhe Ministria e Shëndetësie publikojnë shifrat e të infektuarve sipas komunave dhe bëjnë kategorizimin e komunave sipas nivelit të rrezikut të përshkruar në pikën më lartë.

Sipas hartës së publikuar, Prishtina, Fushë Kosova, Gjilani, Obiliqi, Novobërda, Ferizaj, Gjakova, Shtimja, Podujeva, Peja dhe Mitrovica e Jugut, janë në zonën e kuqe.

Qeveria ka vendosur që komunat të cilat janë në zonë të kuqe të hynë në orë policore dhe të u ndalen veprimtaritë ekonomike nga ora 19:00 deri në 05:00.

Ky vendim hynë në fuqi sot në orën 18:00.