Masat e reja kundër përhapjes së COVID-19 hyjnë në fuqi nesër

Kufizimi i lëvizjes, e mbyllja e lokaleve të gastronomisë nga ora 21 deri në 5 të mëngjesit do të fillojë nesër.

Kështu shkurt ka njoftuar Kryeministri Avdullah Hoti në një postim në rrjetin social Facebook.

“Masat e reja kundër COVID-19 hyjnë në fuqi të hënën, 6 korrik 2020”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sot gjatë ditës është marrë vendimi për kufizim të lëvizjes në katër komuna. Vendimi tjetër ishte mbyllja e lokaleve të gastronomisë nga ora 21 deri në orën 5, me përjashtim të shërbimit në hapësira të hapura dhe “merr me veti”.

Hoti pas mbledhjes së sotme me përfaqësues shëndetësor ka treguar masat që priteshin të miratohen sonte në mbledhjen e Qeverisë:

  1. Do të kujdesemi që të krijojmë kapacitete shtesë me shtretër dhe pajisje duke riorganizuar komplet klinikën e QKUK-së si dhe në spitalet private. Të blejmë edhe shtatë aparatura shtesë të testimit.
  2. Do të krijojmë kapacitete shtesë me personel shëndetësor, duke mobilizuar në nivel vendi edhe ata që nuk janë të punësuar, veçanërisht në infermieri e mikrobiologji.
  3. Do të merremi me krijimin e kapaciteteve për testim virulogjik. Do të krijohen kapacitetet deri 500 teste brenda ditës. Të krijohen kapacitete në regjione. Do të blejmë edhe 100 mijë teste shtesë. Por, do të bëjmë një formë të prioritetit se kush do të testohet, duke filluar nga një person që ka sëmundje kronike.
  4. Do të vendosim buxhetin në dispozicion për të siguruar 100 mijë teste, deri në 500 mijë vaksina sezonale, për të siguruar vaksina COVID në lidhje me protokollet e OBSH-së kurdo që ajo është e gatshme. Për të blerë 7 aparatura për testime virulogjike.