Kufiri Kosovë - Serbi në Merdare - Foto: REL

Masat e reciprocitetit, rreth 20 kamionë nga Serbia hynë në Kosovë me dokumente "Republika e Kosovës"

Rreth 20 kamionë me mallra kanë hyrë nga Serbia në territorin e Kosovës në dy ditët e fundit të kushtëzuar që dokumentet e tyre t’i referohen me “Republika e Kosovës” shtetit hyrës. Qeveria e kaluar e udhëhequr nga Albin Kurti më 30 maj ka marrë vendim për masa të reja të reciprocitetit që ndalojnë hyrjen e mallrave nga Serbia në dokumentet e të cilave mohohet pavarësia e Kosovës.

Përderisa nga e shtunja deri të mërkurën nuk ka pasur fare mallra që kanë mundur ta kalojnë kufirin nga Serbia në Kosovë, Adriatik Stavileci, zëdhënësi i Doganës së Kosovës për KALLXO.com ka treguar se në dy ditët e fundit kanë filluar qarkullimin kamionët që e kanë respektuar urdhëresën.

“Mund të konfirmoj se deri më tani nga Serbia në territorin e Kosovës kanë hyrë rreth 20 kamion me mallra nga Serbia”, ka thënë Stavileci për KALLXO.com.

Stavileci ka theksuar se të githë kamionët të cilët kanë hyrë në territorin e Kosovës kanë pasur dokumentet në përputhje me vendimin e Qeverisë.

Dje KALLXO.com ka raportuar se 12 kamionë të cilët kanë tentuar të hyjnë në Kosovë janë kthyer prapa pasi që të njëjtit nuk i kanë pasur dokumentet në përputhje me vendimin e Qeverisë.

Sipas vendimit të qeverisë, nuk lejohen të hyjnë në territorin e Kosovës kamionë me dokumente për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.

Sipas të dhënave zyrtare nga Dogana e Kosovës, vetëm në muajt prill dhe maj, nga Serbia në territorin e Kosovës është importuar mall në vlerë 35 milionë euro.

Qeveria në Detyrë e Kosovës në prill të këtij viti hoqi tarifën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës  për të zëvendësuar atë me masën graduale të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!