Masat e paralajmëruara kundër COVID-19, flasin nga Shoqata e Gastronomëve

Masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Kosovë pritet të prekin direkt sektorin e gastronomisë.

Nga 20 gushti është paralajmëruar se do të mbyllen klubet e natës deri më 1 shtator 2021, ndërsa orari i punës për kafenetë, baret dhe restorantet të reduktohet deri në ora 22:30.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës për Prishtinën, Veton Zuka, tha për KALLXO.com se sa i përket mbylljes së klubeve të natës do t’u duhet ta pranojnë vendimin dhe të jenë bashkëpunues për shkak të rritjes së numrit të rasteve me COVID-19.

“Si gjithë, vendimet po vijnë direkt me neve edhe në këtë rast, klubet e natës edhe njëherë po pësojnë në kuptimin e mbylljes totale. Por duke e marrë parasysh numrin e rasteve dhe gjendjen qysh është në spitale dhe si po shkon, nuk na mbetet tjetër veç me pranu si fakt dhe me bashkëpunu në njëfarë mënyre. Ky si vendim pasi është deri më 1 shtator me shpresë që do të ndikojë në zvogëlimin e  numrit, deri atëherë ky është realiteti”, tha ai.

Zuka ka shtuar se “si Shoqatë normalisht që nuk mund ta përshëndesim çfarëdo mbyllje që ndodh, por duke pasur parasysh situatën atëherë duhet të pajtohemi”.

Në takimin e sotëm me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, përfaqësuesit e gastronomëve kanë kundërshtuar mbylljen e bareve nga ora 22:30.

Zuka thotë për KALLXO.com se ka mbetur të shqyrtohet mundësia që këtij sektori t’i lejohet operimi deri në ora 23:00.

“Ne ishim në kundërshtim me mbylljen e bareve në ora 22:30. Atë e kundërshtuam kategorikisht por mbet me u shqyrtu edhe njëherë që së paku deri në ora 23:00, vendimi kur të  merret, të jetë orari i punës deri në ora 23:00, por edhe kjo deri më 1 shtator dhe pastaj të shqyrtohet situata”, tha ai.

Duke folur për mundësinë për protesta të gastronomëve ai shtoi se nëse ka rënie të numrave dhe nuk ndërrohen masat, mund të reagojnë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se nesër (e mërkurë) masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19 do t’i propozohen për miratim kabinetit qeveritar.

Vitia tha se shpreson që masat do të marrin aprovimin e Qeverisë.

“Ne qysh nesër do t’i propozojmë Qeverisë së Kosovës që të vendos për ndërmarrjen e disa masave kufizuese të cilat do të prekin disa sektorë të jetës sonë ekonomike e sociale por që janë të domosdoshme. Do të propozojmë që të mbyllen për një kohë klubet e natës, të reduktohet orari dhe aktiviteti i gastronomisë  derisa do të propozojmë një zgjidhje edhe rreth dasmave me disa kufizime, shumë kufizime të reja, për shkak të rezervimeve të mëhershme që i kanë bërë qytetarët”, tha ai.

Vitia tha se arsyeja e masave të reja në këta sektor është sepse shpërndarja më e madhe e virusit është evidente që po vjen nga grumbullimet e mëdha në hapësira të mbyllura dhe mosrespektimi i masave.

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës ka bërë të ditur se në takimin e sotëm me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë dalë me masa të reja pas rritjes së numrit të të  infektuarve me COVID-19.

Sipas tyre, masat do të  hyjnë në fuqi nga 20 gushti dhe të njëjtat janë: Sallat e dasmave të punojnë deri në orën 22:30 me kapacitet të klientëve 150 të pranishëm; klubet e natës dhe diskotekat mbyllen deri më datë 01.09.2021; të gjithë restorantet ditore, kafiteritë etj. punojnë deri në orën 22:30; nga data 20.08.2021 pa dëshmi vaksinimi apo test PCR nuk lejohen klientët në ambiente hoteliere-gastronomike.

Të martën është shënuar numri rekord i rasteve me COVID-19 që prej fillimit të pandemisë në mars të vitit të kaluar.