Masat e komunës së Mitrovicë për shkak të pandemisë Covid-19

 

Pastrimi i rrugëve e dezinfektimi i objekteve, janë disa nga masat që ka marr komuna e Mitrovicës për shkak të pandemisë COVID-19

Kryetari i kësaj komune Agim Bahtiri ka mbajtur një mbledhje me ç’rast ka thënë se janë marr të gjitha masat nga kjo komunë sa i përket pandemisë.

Bahtiri për Kallxo.com ka sqaruar se çdo natë do të pastrojnë rrugët e Mitrovicës, duke përfshirë edhe shëtitoren e Liqenit Artificial të cilën qytetarët e Mitrovicës e kanë si hapësirë rekreacioni.

“Në të gjitha qebaptoret, byrektoret, gjellëtoret i kemi ndërpre, çdo natë do të lahen të gjitha rrugët që janë në qytetin e Mitrovicës, por edhe në shëtitoren që është të liqeni atje do të pastrohen çdo ditë, i kemi dezinfektuar të gjitha objektet të cilat janë në komunën e Mitrovicës prej komunës edhe kompanitë publike QKMF-në dhe do të vazhdojmë më tutje, kështu që të gjitha masat që është dashur me i marr i kemi marr”, tha Bahtiri.

Tutje Bahtiri ka thënë se janë duke marr informata për qytetarët të cilët vijnë nga vendet tjera e që ndalen në Mitrovicë, duke shtuar se kanë një ekip të gatshme që t`i vizitojnë në rast nevoje.

“Kemi kontaktuar të gjithë kryetarët e fshatrave për me na dhënë të dhëna për secilin njeri, a ka ardh dikush nga jashtë në fshatrat dhe lagjet e komunës së Mitrovicës, njëkohësisht kemi kërkuar nga policia e Kosovës në Bërnjak dhe Jarinje që të na japin saktë emrat e atyre që hynë në Kosovë që kanë stacionin në Mitrovicë, kështu që ekipi është i gatshëm të shkon t`i viziton gjithë ata që kanë ardh dhe familjarët e tyre“, tha Bahtiri.

Po ashtu në Mitrovicë janë dezinfektuar edhe dy objektet në Qendrën Multifunksionale “Omni Sport” dhe Palestrën Sportive “Minatori”  të cilat do të jenë në dispozicion për trajtimin e personave të dyshuar.