Grafika: Kallxo.com

Masat e distancimit social mund të jenë të nevojshme deri në vitin 2022

Njerëzit në mbarë botën mund të kenë nevojë të praktikojnë njëfarë niveli të distancimit social me ndërprerje të kohëpaskohshme deri në vitin 2022 në mënyrë që ta evitojnë shpërfaqjen e sëmundjes COVID-19 edhe përtej sistemeve të reja e të mbingarkuara spitalore, thanë ditë më parë një grup epidemiologësh nga Shkolla e Shëndetit Publik, Harvard T.H. Chan.

Heqja e masave për distancimin social me një herë të vetme, mund të rrezikojë shtyrjen e pikut të epidemisë duke e vështirësuar atë edhe më shumë, paralajmëruan studiuesit në një artikull të botuar ditë më parë në revistën Sciencemag.

Rrjedha e pandemisë do të varet nga pyetjet që ende nuk kanë marrë një përgjigje: A do të pësojë ndryshime përhapja e virusit gjatë ndryshimit të stinëve? Çfarë imuniteti do të kenë njerëzit pasi të infektohen? Dhe a do të ofrojë ekspozimi ndaj coronavirusëve që shkaktojnë sëmundje të buta ndonjë mbrojtje ndaj mikrobit (virusit) që e shkakton COVID-19?

Këto pyetje po peshohen nga liderët qeveritarë, të cilët po e dëshmojnë rënien ekonomike në mbarë globin për shkak të masave të distancimit social. Me miliona njerëz si të papunë dhe duke qëndruar në shtëpi, presioni për t’i lehtësuar masat kufizuese në mbarë botën, por rritet gjithnjë e më shumë. Duke vepruar kështu, thonë ekspertët, krejt kjo do të varet nga vendosja e masave që do të ndikonin në kontrollimin e kësaj sëmundjeje, të tilla sikurse testimi në masë të gjerë.

Në ndërkohë, masat e izolimit janë duke u implementuar tashmë në 187 shtete apo territore në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e mëtejme të pandemisë.

Studiuesit nga Harvardi kanë përdorur modele kompjuteri për të simuluar mënyrën sesi mund të përhapet pandemia. Një prej mundësive mund të jetë aplikimi i një distancimi të rreptë social,  ndjekur me një punë intensive nga ana e shëndetit publik, që do ta parandalonte dhe ndoshta edhe ta zhdukte virusin. Një gjë e tillë kishte ndodhur me SARS-CoV-1, e cila kishte shkaktuar një përhapje gjatë vitit 2003. Mirëpo, duke qenë dëshmitarë të numrit të rasteve të reja të konfirmuara të këtij mikrobi (virusi) të ri që e ka tejkaluar tashmë dy milionësh në nivel global, ky rezultat shihet si gjithnjë e më paarritshëm, thonë studiuesit e lartcekur.

Sëmundje sezonale?

Gjasat reale janë që coronavirusi do të mbetet një lloj gripi duke e shëtitur globin në periudha sezonale. Duke marrë shembull një model të caktuar, një masë 20 javëshe për të kufizuar përhapjen e virusit ishte pasuar nga një pik epidemik që ishte po aq i madh sa edhe një përhapje e pakontrolluar.

“Distancimi social ishte aq i efektshëm saqë praktikisht nuk ishte bërë imunizimi i popullatës,” thanë studiuesit lidhur me atë skenar. Nëse virusi është më i transmetueshëm në muajt më të ftohtë, vonimi i pikut në vjeshtë mund të përkeqësojë presionin ndaj sistemeve të kujdesit shëndetësor, thonë ata.

Sipas tyre, ata janë të vetëdijshëm se zgjatja e mëtejshme e masave të distancimit social, edhe pse me ndërprerje të kohëpaskohshme, ka të ngjarë të rezultojë me “pasoja thellësisht negative ekonomike, sociale dhe arsimore”.

Tutje ata kanë bërë të ditur se qëllimi i tyre në modelimin e politikave të tilla nuk ishte t’i mbështesin ato, por të nxisin ide inovative dhe të zgjerojnë listën e opsioneve për ta futir pandeminë nën një kontroll afatgjatë.

Studimi po ashtu thotë se është e rëndësishme të dihet nëse njerëzit mund të bëhen imun ndaj coronavirusit pasi të jenë infektuar, duke vënë në dukje se një gjë e tillë nuk mund të dihet akoma.

Në mënyrë që të shmangen rezultate të tilla, masat për distancimin social mund të jenë të nevojshme deri në vitin 2022, përveç nëse kapaciteti i spitaleve shkon duke u rritur, ose në ndërkohë zbulohet ndonjë vaksinë apo, nëse trajtimi mjekësor bëhet shumë më efektiv sesa që është aktualisht.