Ilustrim

Masat e distancimit social kundër coronavirusit mund të kenë sukses

 

Gjermania mund të bëhet vendi i parë evropian që ta fusë nën kontrollin e saj epideminë CoVid-19 nëse masat e saja për distancim social rezultojnë të suksesshme.

Pas më shumë se 80,000 rasteve të raportuara dhe më shumë se 3,200 vdekjeve, Kina me sukses e ka reduktuar numrin e rasteve të reja me coronavirus, shkruan kanali televiziv britanik, Sky News.

Me fjalë tjera, vendi ku edhe e ka burimin ky virus  e ka “rrafshuar trajektoren” e epidemisë. Kina tani ka më pak se 100 raste të reja dhe 30 raste me vdekje në ditë dhe ky trend po vazhdon që nga fillimi i muajit mars, sipas të dhënave nga Universiteti Jone Hopkins.

Megjithatë, Kina nuk është vendi i vetëm i cili ka filluar që ta fusë nën kontroll këtë epidemi.

Në Korenë Jugore më shumë se 9,000 njerëz janë infektuar me të njëjtin virus dhe së paku 130 njerëz kanë vdekur, mirëpo epidemia në këtë vend tani është në rënie  pothuajse me një trajektore të njëjtë sikurse Kina që nga mesi i muajit mars.

Numri i vërtetë i njerëzve të infektuar në të dy vendet është me siguri më i lartë krahasuar me statistikat zyrtare, mirëpo edhe këto statistika tregojnë se përhapja e kësaj sëmundjeje është duke u ngadalësuar në të dy vendet.

 

Çka nënkupton “të rrafshosh trajektoren”?

“Trajektorja” gjatë një shpërthimi epidemik është një numër i projektuar i njerëzve të cilët do të sëmurën gjatë një periudhe të caktuar kohore.

Pra, ideja e rrafshimit të trajektores është shmangia e numrit të rasteve të reja gjatë një periudhe më të gjatë, në mënyrë që njerëzit të kenë qasje më të mirë në kujdesin shëndetësor.

Një rritje e madhe e trajektores nënkupton se epidemia po përhapet masivisht, gjë që mund të rezultojë me një numër të madh të njerëzve të infektuar në të njëjtën kohë dhe sistemi shëndetësor mund të mbingarkohet.

Kjo do të thotë se numri i rasteve në kulminacionin e kësaj sëmundjeje – pika më e lartë e përhapjes – do të zvogëlohet, duke i dhënë mundësinë shërbimeve shëndetësore që t’i përshtaten më mirë situatës në terren dhe të ofrojnë mjekim më të përshtatshëm.

Mirëmbajtja e masave – siç është distancimi social – synojnë të ulin nivelin e infeksionit dhe, rrjedhimisht, të “rrafshojnë trajektoren”.

 

Si duket trajektorja e përhapjes në vendet tjera?

  Shpërthimi i epidemisë filloi në Kinë në dhjetorin e vitit të kaluar dhe u përhap me shpejtësi në disa vende të tjera të Azisë nga qyteti i Vuhanit, epiqendra e shpërthimit.

Pavarësisht afërsisë së tyre me Kinën, Singapori, Hong Kongu dhe Tajvani kanë arritur të mirëmbajnë numrin e tyre të rasteve të reja.

Sidoqoftë, këto vende kanë një popullsi relativisht të vogël në krahasim me vendet e tjera të rajonit dhe megjithëse numri i rasteve të tyre është i vogël, trajektoret e tyre ende nuk janë ulur ndjeshëm.

Trajektorja gjithashtu mund të rritet pas një periudhe gjatë së cilës ajo zvogëlohet, siç po ndodh aktualisht në Japoni.

Atje, numri i përditshëm i personave të infektuar filloi të ngadalësohet në mes të marsit, por që prej asaj kohe ka filluar të rritet përsëri.

Në muajin shkurt, Evropa u bë epiqendra e shpërthimit të CoVid-19.

Italia tani ka pasur më shumë raste të konfirmuara të sëmundjes sesa Kina dhe numri i rasteve të vdekjeve në Spanjë dhe Itali është më i madh sesa në Kinë.

Pjesë të mëdha të kontinentit tani janë nën një bllokadë apo duke aplikuar masa të distancës sociale për të ndaluar përhapjen e sëmundjes.

Në disa vende këto masa kanë filluar të japin rezultatin e tyre pozitiv dhe vendi i parë evropian cili do të mund ta rrafshonte trajektoren është Gjermania.

Të mërkurën që lamë pas, kreu i Federatës gjermane të spitaleve, Gerald Gass, ka deklaruar se niveli i infeksionit ka të ngjarë të ngadalësohet në Gjermani deri në fillim të prillit për shkak të masave të distancimit social.

Epidemia ka prekur edhe shtetet e Lindjes së Mesme, veçanërisht Iranin të cilin e ka goditur shumë.

Tani epidemia po lëviz drejt Amerikës së Veriut dhe asaj të Jugut, ku numri i rasteve po rritet në shumicën e shteteve atje.

Në Shtetet e Bashkuara, bllokadat janë aplikuar në qytete, përfshirë Nju Jorkun, San Franciskon dhe Los Anxhelosin.

 Sa shpejt po rritet numri i rasteve të raportuara?

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH, tashmë, pothuajse secili vend i botës ka raportuar, të paktën, një rast me coronavirus.

Kohë më parë, SHBA dhe Italia e kanë tejkaluar Kinën me numrin më të madh të rasteve dhe shkalla e rasteve është e madhe në pothuajse një të tretën e vendeve të prekura, përfshirë vendet evropiane që qëndrojnë në majë të kësaj liste.

Numri aktual i të prekurve në SHBA dhe Itali është rreth 105 mijë, respektivisht, në Itali me përafërsisht 87 mijë. Spanja, në ndërkohë, me rreth 73 mijë të prekur, po i afrohet dukshëm Kinës dhe është çështje orësh apo çështje e një dite që ta tejkalojë Kinën.

Mirëpo në një shpërthim epidemik nuk është vetëm numri i rasteve ai që ka rëndësi por po ashtu edhe shkalla e rritjes – pra sa shpejtë po rritet numri i rasteve.

Një rritje e shpejtë mund të rezultojë me një numër të madh të rasteve të raportuara dhe qëllimi është të ngadalësohet kjo shkallë duke përdorur masa të tilla si distancimi social.

Nëse i krahasojmë shtetet me numrin më të madh të rasteve të raportuara që nga koha kur ato e kanë raportuar numrin prej 100 sosh, Britania e Madhe duket se po e përcjell një trend të ngjashëm me vendet tjera evropiane, të tilla sikurse Italia apo Spanja dhe SHBA. Për momentin numri i rasteve në Britani të Madhe është duke u dyfishuar çdo të dytën apo të tretën ditë.

Mirëpo krahasimi i numrit të rasteve në secilin vend është i vështirë pasi që vende të ndryshme janë duke e bërë testimin më ndryshe me njerëzit e tyre.

P.sh., në Britaninë e Madhe vetëm njerëzit të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore janë aktualisht duke u testuar përderisa në Gjermani një program shumë më i madh i testimit është duke u bërë aktualisht. Kjo nënkupton se Gjermania ka numër të madh të rasteve të konfirmuara  sesa vendet si Franca dhe Britania e Madhe, edhepse ato kishin numër më të vogël të rasteve me vdekje.

Si rezultat është shumë vështirë të bëhet një krahasim kuptimplotë i numrit të rasteve në vende të ndryshme dhe një pamje reale e shkallës së shpërthimit mund të shihet vetëm duke u bazuar në numrat aktualë të të vdekurve.

Duke u bazuar në statistikat e vendeve me përhapje të madhe të epidemisë atëherë shohim se epidemia është më e madhe dhe në rritje në Evropë sesa në Azi.

Sidoqoftë, në shumicën e vendeve evropiane efekti i masave të distancimit social si dhe bllokadat nuk po ndikojnë në ndryshimin e trajektores pasi që nevojitet akoma kohë që të arrihet efekti i kërkuar.

Dy javët e ardhshme do të jenë kritike dhe deri atëherë bota do ta ketë një ide më të mirë nëse masat e ndërmarrura nga qeveritë e ndryshme nëpër botë kanë arritur efektin e tyre dhe kanë pasur sukses në rrafshimin e trajektores.