Masat anti-COVID, Komunat: Ministri Vitia premtoi se do merren parasysh 90% e rekomandimeve

Kryetarët e Komunave sot kanë mbajtur një takim të organizuar nga Ministria e Pushtetit Lokal (MPL) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSH) lidhur me situatën pandemike.

Sipas komunikatës së AKK-së, ky takim vjen pas takimit të djeshëm të Këshillit të Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës për të vlerësuar situatë e tashme pandemike nëpër komuna me virusin Covid-19 ku edhe ka dalë me rekomandimet e Komunave.

Kryetari i AKK-së, Imri Ahmeti tha se dje gjithë Kryetarët e Komunave janë dakorduar që të dilet me këto rekomandime:

1. Qeveria të ketë prioritet vaksinimin e popullatës,

2. Komunat kërkojnë dhe rekomandojnë heqjen e orës policore,

3. Komunat rekomandojnë dhe kërkojnë që masat ndaj gastronomisë të tërhiqen dhe kërkojnë që gastronomia të zbatojë udhëzimet për distancën fizike edhe përmes tavolinave,

4. Komunat kërkojnë që të amandamentohet Ligji mbi Pandeminë,

5. Kërkohet nga Qeveria zbatimi i pakos së fundit të përkrahjes ekonomike dhe që të fillohet me një pako të re përkrahëse,

6. Të ketë bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve në mes nivelit qendror dhe lokal në ruajtjen e shëndetit publik dhe ekonomik,

7. Bashkëpunimi në mes inspektoratit qendror dhe atij lokal nuk është në nivelin e duhur. Ky bashkëpunim duhet të fuqizohet në zbatim të masave në mënyrë që të ruhet shëndeti publik.

Sipas tyre, ministri i MSH-së Arben Vitia tha se duhet të kenë kujdes në gjithë hapat.

“Ministri Vitia tha se beson që 90 për qind e rekomandimeve që kanë nxjerr Asociacioni i Komunave të Kosovës në takimin me Këshillin e Kryetarëve do të merren parasysh në vendimet për masat e ardhshme.Në këtë takim kanë diskutuar edhe Kryetarët e Komunave ku kanë mbështetur rekomandimet e Këshillit të Kryetarëve, gjithnjë duke ruajtur shëndetin publik, duke respektuar masat por pa dëmtuar sektorët e caktuar të ekonomisë”, vijon njoftimi i publikuar në rrjetin social “Facebook”.