Masat anti- COVID, hapet gastronomia pas 12 ditëve mbyllje

Nga 7 – 18 prill gastronomia ishte e mbyllur. Qeveria sipas masave të reja kundër COVID-19, mbylli gastronominë në nivel vendi.

Sot gastronomia ka filluar punën duke respektuar masat anti- COVID.

Pronari i kafiterisë ‘Creme de la Creme’ në kryeqytet, Valon Majanci, thotë se është i lumtur me hapjen e gastronomisë, por mbyllja për 12 ditë i ka shkaktuar probleme.

“Për shkak të Ramazanit është pak e vështir për neve se duhet të punojmë tërë muajin për me nxan hapin dhe me bo diçka e tash 12 ditë mangu është pak problem për neve me ia dal”, u shpreh ai.

Sipas, Majancit, gastronomisë i është bërë padrejtësi.

“Në një far forme ndoshta është padrejtësi se kur i këqyr senet tjera nuk janë mbyll veç gastronomia, nuk mendoj që gastronomia është indikator në rritjen e numrave (rasteve)”, vazhdoi tutje.

Të njëjtin mendim ka edhe Ibrahim Smajli, punëtor në kafiterinë ‘Lui Caffe” në Prishtinë.

“Padrejtësi po. Sikur herën e kaluar që janë dalë në grevë punëtorët e gastronomisë dhe prapë njëjtë ka qenë padrejtësi e madhe. Gastronomia është një shtyllë kryesore për të ardhurat dhe ekonomin e shtetit”, theksoi Smajli.

Ai thotë se gastronomia nuk është fajtor për rritjen e rasteve pozitive në Kosovë.

Sipas masave të reja të Qeverisë gastronomia është e hapur nga ora 05:00 deri 22:30.

Aktualisht në Kosovë janë 12,433 raste pozitive me SARS-CoV-2. 101,517 persona janë infektuar me COVID-19, prej tyre 2,072 kanë vdekur.