Foto: Kuvendi i Kosovës

Masakra ndaj familjes Mirena, Konjufca: Duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur që Serbia të marrë dënimin e merituar

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, qëndroi sot në fshatin Nakaradë të Fushë-Kosovës, për të nderuar martirët e familjes Mirena, në 22-vjetorin e vrasjes së tyre nga ana e forcave serbe.

Sipas njoftimit të Kuvendit, Konjufca tha se kjo masakër dëshmon përmasat e gjenocidit që ka shkaktuar Serbia mbi popullin tonë.

Kryekuvendari ka thënë se përvjetorët e shumtë të masakrave, që forcat serbe kanë kryer në Kosovë, përbëjnë gjenocidin e shkaktuar nga Serbia mbi popull.

“Të gjithë të rënët për liri do të nderohen dhe kujtohen sa të ketë komb shqiptar, Ndërsa, ne si institucione, duhet të jemi pranë familjeve të martirëve dhe të dëshmorëve, të cilët e kanë dhënë jetën për Kosovën e lirë e të pavarur. Po ashtu duhet të bëjmë gjithçka çfarë është e mundur që Serbia të marrë dënimin e merituar”, citohet të ketë thënë Konjufca.

Natën e 21 prillit të vitit 1999, 16 burra e djem të familjes Mirena, forcat serbe i ndanë nga familjarët e tyre për t’i ekzekutuar e masakruar. Edhe pas dy dekadash nga kjo masakër, e urdhëruar nga shteti serb dhe e kryer nga ushtria e policia serbe, drejtësia nuk është vënë në vend.