Foto: RTV 21

Masa që mund të marrë Qeveria: Në lokalet gastronomike, me test PCR ose i vaksinuar, ndryshe s’bën

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se pritet që në masat e reja që do të ndërmerren si shkak i situatës COVID-19, të përfshihet edhe mundësia që në lokale të hyjnë vetëm personat që janë vaksinuar kundër COVID-19 ose të njëjtit të kenë rezultatin e testit RT-PCR.

Këto deklarata Vitia i bëri gjatë raportimit para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

“Qeveria në koordinim me ekspert të fushës ka përcjellë situatën me COVID-19, sipas projeksioneve me hisedar do të vendoset për masa të reja. Jemi duke biseduar qe në gastronomi nga 27 shtatori të ketë masa kufizuese, ku si kusht do të jetë që personat që hyjnë të jenë të vaksinuar ose të tregojnë një test RT-PCR”, tha ai.

Vitia shtoi se deri në fund të vitit do të vaksinohen rreth 70% e popullsisë.

“Mbi 1 milionë e 200 mijë doza janë administruar ndërsa në stok janë 400 mijë doza. Deri në fund të vitit do të arrijnë mbi 500 mijë doza Pfizer ndërkaq priten të vaksinohen rreth 70% e popullsisë së vaksinueshme”, tha Vitia.