Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Masat e reja anti-COVID-19, mërgimtarëve parashihet t’u mundësohet vaksinimi në aeroport dhe në pika kufitare

Qeveria e Kosovës është duke i shqyrtuar masat e reja kundër përhapjes së coronavirusit.

Në mesin e tyre parashihen masa edhe për shtetasit e Kosovës, si dhe personave me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, që kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Në dokumentin e siguruar nga KALLXO.com thuhet se personat që kërkojnë të hyjnë në Kosovë, nëse nuk e kanë ndonjërën prej dëshmive të vaksinimit, u jepet mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” (për ata që hyjnë në rrugë ajrore), dhe në pikat kufitare në Vërmicë, Merdarë, Dheu i Bardhë, Hani i Elezit (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).

“Shtetasve të Republikës së Kosovës, si dhe personave me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, të cilët nuk posedojnë ndonjë nga dëshmitë 2.1 deri 2.3 dhe kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, iu jepet mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikën kufitare ANP “Adem Jashari (për ata që hyjnë në rrugë ajrore), dhe në pikat kufitare në Vërmicë, Merdare, Dheu i Bardhë, Hani i Elezit (për ata që hyjnë në rrugë tokësore)”, thuhet në pikën 4 të dokumentit.

Tutje thuhet se çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë  një nga dëshmitë:  Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19, certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër  (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë; certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë.

Për festat e fundvitit pritet të ketë numër të madh të mërgimtarëve që do të vijnë në Kosovë.

Këto janë masat e reja anti-COVID që po i shqyrton Qeveria