Martesat e hershme si fenomen shqetësues, Kurti takon zyrtarët komunalë për komunitete

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me nënkryetarët dhe zyrtarët komunalë për komunitetet për të diskutuar rreth parandalimit të martesave të hershme.

Siç njoftohen me anë të një komunikate, Kurti ka thënë se qëllimi i përbashkët i të gjithë akterëve të pranishëm është parandalimi i martesave të tilla.

“Është fenomen përgjithësisht i fshehur, mirëpo shifrat e UNICEF-it me Agjencinë e Statistikave, prej vitit 2020 na tregojnë që në grup moshën 20 deri në 24 vjeç, 31% të grave e vajzave rom, ashkali dhe egjiptian kanë qenë të martuara nën moshën 18 vjeçare. Kjo nënkupton se qindra vajza, çdo vit, që kanë të drejtat dhe mundësitë e tyre për të ardhmen e tyre janë të dëmtuara rëndë”- ka deklaruar ai.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se me vendim të Qeverisë është themeluar Grupi Punues Ndërinstitucional për raportimin dhe parandalimin e martesave të hershme.

Kurti shprehi mirënjohje për aktivistët e komuniteteve të cilët janë të angazhuar në luftimin e dukurisë së martesave të hershme.

“Ka komuna ku vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian më shumë janë bërë shembuj për vijueshmërinë në shkollat e mesme dhe në fakultete, në aktivizimin edhe në aktivitete të ndryshme kulturore, shoqërore, publike”, shtoi ai, duke shprehur mirënjohje edhe për aktiviste të komuniteteve që angazhohen për luftimin e dukurisë së martesave të hershme”- tha Kurti gjatë takimit.

Përveç përfaqësuesve të institucioneve lokale të pranishëm në këtë takim ishin edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sylejman Elshani dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Erxhan Galushi.