Foto ilustrim

“Marsho për identitet dhe dinjitet”- Kamberi u bën thirrje shqiptarëve të mblidhen në Preshevë

Në Preshevë, të hënën më 23.09.2024, do të zhvillohet protesta e shqiptarëve me slloganin “Marsho për identitet dhe dinjitet”.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj proteste.

“Për identitet dhe dinjitet, nesër, në fillim prej ora 13:00 në Preshevë. Të marshojmë bashkë”- ka shkruar Kamberi.

Ndërkaq, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka bërë të ditur se protesta po organizohet në shenjë kundërshtimi ndaj diskriminimit, shtypjes dhe shkeljeve që shqiptarët e Luginës së Preshevës, sipas saj, po përjetojnë nga Serbia.

“Marshojmë për ndalimin e pasivizimit të adresave, për njohjen e diplomave tona, për krijimin e vendeve të punës dhe për institucione që janë të hapura për të gjithë. Zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara dhe respektimi i detyrimeve të shtetit ndaj shqiptarëve të Luginës janë thelbësore për të ardhmen tonë”- ka shkruar Sinani në Facebook.

“Kërkojmë një Preshevë me Gjykatë, me përfaqësim të drejtë në institucione, ashtu siç na takon!Ky marshim është për të gjithë ne, për dinjitetin dhe identitetin tonë! Ju ftoj të bashkoheni dhe të marshojmë së bashku – sepse vetëm të bashkuar, jemi më të fortë!”- thuhet tutje në postim.

Një numër i madh i qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës kanë protestuar më 12.08.2024, duke filluar nga ora 11:00 në sheshin e Bujanocit.

Në protestë ishin parë qytetarë me pankarta “Duam libra shqip”, “Të shtypur po të nënshtruar jo”, “Stop pasivizimit selektiv”, dhe të tjera.

Këshilli Organizativ i Protestës “Për Identitet dhe Dinjitet”, patën thënë që po protestojnë për shumë arsye.

Disa nga arsyet e protestimit të dhëna nga Këshilli Organizativ janë: marrëveshjet e mbetura në letër e obligimet që asnjëherë nuk u përfunduan; për pasivizimin selektiv të adresave; për mungesën e teksteve në gjuhën shqipe;për dyert e mbyllura të institucioneve shtetërore; për mundësitë e mohuara; për shanset e humbura.

Problemi i pasivizimit të adresave është përmendur edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Europian, pjesa për Serbinë, kur është përmendur respektimi i të drejtave të minoriteteve.

Në raportin për vitin 2022 përmendet edhe që pjesëtarët e pakicës shqiptare kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si kontrollohet adresa e tyre e banimit.

“Ekziston nevoja që autoritetet të sqarojnë më mirë për publikun si kryhen këto kontrolle”- është thënë mes tjerash në raport.

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit, për vitin 2022, është përmendur se praktika e pasivizimit të adresave në Serbi, konsiderohet veprim kontrovers.

Kamberi: Qeveria në Beograd po refuzon të respektojë të drejtat tona