Foto: Kallxo.com

Marsh protestues në Prishtinë, kërkohet drejtësi për Astrit Deharin

Ka filluar marshi “Drejtësi për Astritin”, në ditën kur janë bërë tri vjet që ai ka vdekur në rrethana ende të pazbardhura brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

Në rreshtin e parë të këtij marshi janë prindërit dhe bashkëshortja e Astrit Deharit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetari i partisë LR-PDSH në Maqedoni, Ziadin Sela, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë të shumtë.

Marshi ka filluar nga sheshi “Skenderbeu” dhe po vazhdon në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti”.

Sot kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryesia e këtij subjekti politik, familjarë e miq të Deharit, kanë bërë homazhe tek varri i të ndjerit prej ku u kërkua që autorët që i morën jetën aktivistit të VV-së, të vihen para drejtësisë.

Ditë më parë është bërë publik raporti i Institutit Zviceran, i cili ka konstatuar se vdekja e Astrit Deharit është vrasje dhe ka shumë pak gjasa të jetë vetëvrasje. Të kundërtën e kishte konstatuar Instituti i Mjekësisë Ligjore në Kosovë.

Zbardhjen e rastit të vdekjes së Astrit Deharit e ka marrë në dorë Prokuroria Speciale e Kosovës.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje ka vdekur me 5 nëntor të vitit 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Marsh për Astrit Deharin

Publiée par Kallxo.com sur Mardi 5 novembre 2019