Marsh për Astrit Deharin - 'Një Popull për Drejtësi'

Me moton “Një Popull për Drejtësi” sot më 5 nëntor, duke filluar nga ora 12:00, nga Sheshi “Skënderbeu”, mbahet marsh për Astrit Deharin.

Marshi mbahet në 3 vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit, në rrethana ende të pasqaruara.

Marshi “Një Popull për Drejtësi” që ka gjetur mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile, personave publik dhe organizatave politike, vjen pak ditë pas publikimit të ekspertizës nga Zvicra, e cila përjashtoi vetëvrasjen e Deharit brenda qelisë së tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Kallxo.com ka publikuar gjatë ditës së hënë (04.11.2019) një varg artikujsh lidhur me dyshimet e ngritura për falsifikimin e raportit nga Zvicra gjatë përkthimit të tij nga gjuha frënge në gjuhën shqipe.

 

Kush është prokurori të cilit iu besua hetimi i rastit Dehari!

Pasi që Prokuroria e Prizrenit publikoi konkluzionet e ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, për rastin e Astrit Deharit, ata ia kanë dorëzuar edhe familjes së tij dhe avokatit Tomë Gashi.

Në këtë raport është treguar detajisht se si është zhvilluar hetimi dhe si kanë arritur në përfundim se rasti i tij duhet të kthehet në hetim.

Në pikën 2 të këtij raporti, më saktësisht tek kampionet e realizuara mbi orën e markës “MOWATCH”, thuhet se kanë vërejtur se ka ADN të një personi tjetër.

“Kampionet e realizuara mbi faqen e jashtme të rripit dhe kuadrit të orës së markës “MOWATCH”(19-T034971d1) ka mundësuar të kemi një profil të ADN-së së përzier. Ai është i përbërë nga një fraksion madhor i pjesshëm (14/16 lokuese) me prejardhje nga një person i panjohur që ne e kemi emëruar H1. Ky profil i ADN-së është ndryshe nga ai i z. Dehari ASTRIT (#A.D), një fraksion minor në veçanti është i pranishëm. Ky megjithatë nuk është i realizueshëm. Kampionet e kryer mbi faqen e brendshme të rripit dhe kuadrit të orës (19-T03497d2) nuk na kanë mundësuar të kemi një profil të realizueshëm të ADN-së”, thuhet në raport.

Si përfundim në këtë raport është thënë se nga gjurmët që kanë reaguar negativisht në këtë test, vetëm një profil i ADN-së është fituar ndërsa gjurmët tjera nuk janë analizuar fare.

“Përqindja e ulët e sukseseve të fituara për këto gjurmë sugjeron se procedura analitike e përdorur nga “Agjencia Kosovare e Forenzikës” nuk ishin shumë të ndjeshme. Si ilustrim kjo agjenci nuk i ka analizuar kampionet e realizuara mbi orën e z.Astrit Dehari të cilët, sipas tyre, përmbanin shumë pak ADN. Ne ia kemi dalë të fitojmë një profil të ADN-së që kishte prejardhje nga një njeri i panjohur i emëruar H1 përmes një kampioni të ri të realizuar mbi të njëjtën orë. Kjo sugjeron se profilet e ADN-ve potencialisht do të mund të merreshin për gjurmët tjera të cilat nuk janë analizuar nga “Agjencia Kosovare e Forenzikës”, thuhet tutje.

Në raport është thënë se megjithatë është e rëndësishme të saktësohet se nuk është e mundur të përcaktohet kur dhe si një ADN është vendosur mbi një bartës.

Tutje është thënë se ata kanë analizuar shishen e plastikës, thonjtë e dy duarve dhe një orë të tij

Raportin e plotë në gjuhën shqipe mund ta lexoni KËTU

Raportin përfundimtar në gjuhën shqipe mund ta lexoni KËTU

Raportin e zgjeruar në gjuhën frënge mund ta lexoni KËTU

Raportin përfundimtar në gjuhën frënge mund ta lexoni KËTU

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Emisioni Jeta në Kosovë, javën që shkoi debatoi lidhur me rastet e vdekjeve të dyshimta të cilat shteti ka treguar neglizhencë, përfshirë edhe vdekjen e Astrit Deharit.

Nga A deri në ZH, si u trajtua Astrit Dehari dhe rasti i tij nga shteti?

.