Marrëzia shqiptare, bukuritë e Shën Gjinit digjen për kullota

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se i kanë arrestuar në flagrancë autorët e dyshuar të vënies së zjarrit në Malin e Shëngjinit.

“Zjarr i dyshuar i vënë për qëllime përfitimi, hapje kullotash për bagëti etj, i cili ka marrë përmasa duke djegur disa hektarë bimësi e pisha si dhe rrezikuar banesa”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Dy persona janë arrestuar.

“Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, rreth orës 21:45 datë 22 gusht, në Malin e Shëngjinit tek ” Lugu i Lemes”, dyshohet që i kanë vënë zjarrin malit me qëllim hapjen e kullotave për bagëtitë dhe prerjen e lëndëve drusore për shitje, zjarr i cili ka marrë përmasa duke djegur disa hektarë bimësi e pisha si dhe rrezikuar banesa e jetë njerëzish”, thuhet në komunikatën e Policisë së Shqipërisë.

Gjithashtu, Policia thotë se u referuan materialet hetimore për procedim penalisht edhe ndaj shtetasit K.M. banues në Tresh – Lezhë, sepse dyshohet që i ka vënë zjarrin një sipërfaqe toke rreth 500 m2 ku nga zjarri është djegur edhe rrethimi me shkurre i stanit të bagëtive të tij.