
Foto: KRU "Mitrovica"
Marrëveshjes për faturimin e shpenzimeve të ujit i bashkohet edhe Komuna e Leposaviqit
Faturat e ujit të banorëve të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq do të inkasohen dhe faturohen nga Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”.
Kështu parasheh marrëveshja e nënshkruar mes KRU “Mitrovica” dhe kryetarëve të Komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut më 16.01.2025.
Meqë në këtë ditë nuk ishte i pranishëm kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, të njëjtën marrëvëshje sikurse kryetarët e tjerë të komunave veriore e nënshkroi edhe ai më 28.01.2025.
“Duke u nisur nga fakti se “Uji është jetë” dhe pasur parasysh se çdo qenie njerëzore ka të drejtë të ketë qasje të barabartë në ujë të pijes, sot, Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” në Mitrovicë dhe Kryetari i Komunës së Leposaviqit z. Lulzim Hetemi nënshkruan marrëveshjen për ofrimin e shërbimimeve të Ujësjellesit”- thuhet në njoftimin e Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”.
Ndryshe, KALLXO.com raportoi më 16.01.2025 se të pranishëm në ceremoninë e kësaj marrëvëshejeje ishin ministrja e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Artane Rizvanolli, zëvendësministri Getoar Mjeku, kryeshefi ekzekutiv i kompanisë KRU “Mitrovica”, Bashkim Kurti, dhe kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut edhe Mitrovicës së Veriut.
Ministrja Rizvanolli kishte thënë se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e furnizimit me ujë për qytetarët e këtyre komunave.
“Deri më sot (16.01.2025) KRU “Mitrovica” ka qenë e kufizuar në tre rajone, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj. Nga sot kjo po ndryshon duke lidhur marrëveshje me katër komuna. Çështja e mospagesës në veri është diçka që e ka rënduar KRU Mitrovicën ndër vite. Ftoj komunat dhe ndërmarrjen të bashkëpunojnë ngushtë sepse do të jetë një proces kompleks i identifikimit të pranimit teknik”- kishte thënë Rizvanolli.
Ndërsa kryeshefi i Ujësjellësit bëri të ditur se këto komuna do të marrin shërbime nga KRU “Mitrovica”. Gjithashtu, sipas tij, do të bëhet edhe inkasimi e faturimi.
“Nga sot (16.01.2025) do të marrim në shërbim katër komunat veriore. Do të bëhet evindentimi i konsumatorëve, vendosja e ujëmatësve si dhe faturimi e inkasimi. Për këtë periudhë transitore, e kemi caktuar një afat kohor, datën 31.12.2025. Duhet të gjejmë zgjidhje edhe për organin paralel”- kishte thënë Kurti.
KRU “Mitrovica” nënshkruan marrëveshje për shërbim, inkasim dhe faturim me 4 komunat e veriut
Në dhjetor të vitit të kaluar, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se ujësjellësi në këtë komunë funksionon ende me sistem paralel.Gjatë debatit në “Jeta në Komunë”, Atiq tha se ujësjellësi ende menaxhohet nga ndërmarrja “Vodovod” i Serbisë.
“Ujësjellësi i Komunës së Veriut ende është me sistem paralel, nuk është hy në sistem të Kosovës. Normal mu më kish konvenu me marr prej ditës së parë nën kontroll, nën udhëheqje mirëpo për shkak të gjendjes politike jena ku jena. As nuk paguhet uji e as nuk e kemi në menaxhim ndërmarrjen. Ndërmarrja që e menaxhon ujësjellësin quhet “Vodovod”- kishte thënë kryetari.