Marrëveshje në vlerë mbi 100 milionë euro për projektet për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave

Republika e Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nënshkruan sot marrëveshje financimi në vlerë prej mbi 100 milionë euro për zbatimin e projekteve për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbetjeve të ngurta me KfW-në dhe BE-në.

Qeveria e Kosovës njoftoi se të dy projektet do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit sipas standardeve mjedisore të BE-së, me qëllim të zgjidhjes së problemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza me të cilat ballafaqohet Kosova.

Projekti i trajtimit të ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës, sipas Qeverisë, do të përfshijë ndërtimin e linjave të ujërave të zeza, si dhe rehabilitimin e rrjeteve të ujërave të zeza dhe sistemit të ndarjes së ujërave të stuhive.

Tutje, Qeveria thekson se projekti në fjalë do të plotësojë ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza që është financuar nga Qeveria Franceze, me ç’rast paraqesin investimin më të madh që është bërë në sektorin e ujërave të zeza në Kosovë. Për realizimin e këtij projekti, Qeveria gjermane përmes KfW-së do të sigurojë në total 42 milionë euro, ndërsa BE-ja do të sigurojë rreth 20 milionë euro. Komuna e Prishtinës dhe ajo e Fushë-Kosovës do të kontribuojnë me 9 dhe 2 milionë euro respektivisht.

Kurse, projekti për menaxhimin e mbeturinave të ngurta do të zbatohet në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Podujevës dhe Pejës dhe do të përfshijë ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e deponive dhe stacioneve të transferimit të mbeturinave të ngurta.

Për këtë projekt, Qeveria gjermane do të sigurojë 20 milionë euro, ndërsa BE-ja 23 milionë euro përmes fondeve IPA.

Qeveria e Kosovës thekson se do të kontribuojë me 8 milionë euro dhe Komuna e Pejës me 3 milionë, duke e bërë kontributin e përgjithshëm kombëtar 11 milionë euro.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se këto projekte pasqyrojnë edhe më tej përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, me theks të veçantë në ruajtjen e burimeve ujore dhe ruajtjen e mjedisit.

Shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë,  Staebek Madsen, tha se përmes këtyre marrëveshjeve BE-ja së bashku me shtetet e saj anëtare, ka demonstruar edhe një herë përkushtimin e saj për të ndihmuar Kosovën të ndërtojë një ekonomi moderne dhe me resurse efikase.

Kurse, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë me Gjermaninë dhe BE-në si partnerë kyç në avancimin e agjendës zhvillimore të Kosovës.

“Marrëveshjet e nënshkruara sot mundësojnë dy projekte shumë të rëndësishme, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës së qytetarëve të Kosovës duke avancuar vendin tonë drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm. Agjenda e gjelbër mbetet prioritet i qeverisë sonë, trajtimi i ujërave të zeza dhe mbeturinat e ngurta janë fusha të rëndësishme që kërkojnë investime të konsiderueshme”- tha Murati.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se projektet që po nënshkruajnë  në fushën e ujërave dhe menaxhimit të mbeturinave jo vetëm që i kontribuojnë ruajtjes së ambientit, por edhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës.

Ndërkaq, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se ky bashkëpunim i bazuar në vlerat e BE-së do mundësojë përparim të mëtejshëm të Kosovës.

“Kosova është partner proaktiv dhe konstruktiv, dhe ky bashkëpunim i bazuar në vlerat e BE-së, do të mundësojnë përparimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të kemi tranzicionin e duhur drejt ekonomisë së gjelbër dhe energjisë së ripërtëritshme”.- u shpreh ai.