Marrëveshje mes Ministrisë së Arsimit dhe Bankës Qendrore, tekstet e edukimit financiar në kurrikulën shkollore

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për të institucionalizuar përfshirjen e 5 teksteve të edukimit financiar në kurrikulën shkollore.

Sipas një komunikate për media, guvernatori Mehmeti tha tekstet janë përgatitur nga ekspertë përkatës të fushës, tekstshkrues dhe ilustrator, në pajtueshmëri me kurrikulën bërthamë për arsimin fillor të Kosovës

“Koleksioni përbëhet nga pesë Libra me tregime për fëmijë të moshave 6-10 vjeç, përkatësisht për nxënësit e  klasave I–V, të arsimit fillor. Fokusi i Librave është edukimi financiar, me ç’rast  fëmijët kanë mundësi të mësojnë në lidhje me tema financiare bazike të përzgjedhura për moshat përkatëse, gjithmonë bazuar në standardet e rekomanduara nga OECD.  Përveç formës së shkruar, librat janë përgatitur dhe me zë (audio), në mënyrë që të jenë të përshtatshme edhe për fëmijët e verbër apo me të pamë të dobësuar dhe përveç gjuhës shqipe janë të përkthyera edhe në gjuhë të tjera siç është përcaktuar me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve”, deklaroi guvernatori Mehmeti.

Librat do të shpërndahen në formë fizike nëpër shkollat fillore të të gjitha komunave të Kosovës, në formë elektronike përmes kanaleve të komunikimit të BQK-së dhe me Shoqatën/Shkollën e të Verbërve të Kosovës.

Nga ana tjetër, Likaj si ministri do të jetë përherë në kontakt me shkollat dhe drejtoritë komunale te Arsimit që t’i marrin rezultatet se si do të ndikojnë këto tekste te nxënësit.

“Ministria e Arsimit dhe e Shkencës është e interesuar që të ngritë nivelin arsimor sa i përket edukimit financiar dhe konsiderojmë shumë të rëndësishëm që të procedojmë tutje, në këtë aspekt që fëmijët të mund të marrin njohuri dhe të përgatiten dhe të kenë vetëdijesim se si duhet shpenzuar dhe menaxhuar paranë. Nxënësve do t’i shpërndahen libra në këtë vit nga klasa 1-5 në tërë territorin e Kosovës mbi 900 shkolla dhe përveç gjuhës shqipe tekstet do të jenë dhe në gjuhë të komuniteteve, tekstet janë në përputhje me kurrikulat e sistemit tonë arsimor dhe janë të përgatitura nga njohës të fushave”,theksoi ministri Likaj.

Christoph Tiskens, Kryetar i Bordit të Drejtorëve të EFSE, në fjalën e tij hapëse theksoi rëndësinë e realizimit të këtij projekti, si dhe shprehu gatishmërinë për të punuar në projektet e ardhshme.

“Është një nder që Ministria e Arsimit e njeh këtë punë me nënshkrimin e sotëm. Kjo tregon vlerën që Ministria i kushton edukimit financiar si mjet themelor për sukses në të ardhmen. EFSE qëndron së bashku me partnerë si, Banka Qendrore e Kosovës dhe Ministria e Arsimit për të bërë një ndryshim pozitiv për sipërmarrësit e sotëm dhe për brezin e ardhshëm të qytetarëve”, deklaroi Tiskens.