Marrëveshja për targa me Serbinë ka skaduar para 5 dite

Ekipe të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, në orët e hershme të mëngjesit janë vendosur në disa pika në veri të Kosovës.

Kjo për shkak të informacioneve se disa persona në veri të Kosovës janë nisur drejt Jarinjës pas vendimit të MPB për zëvendësimin e tabelave të Serbisë me ato të përkohshme të Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar se si në qytetet si Leposaviqi dhe Zubin Potoku, qytetarët kanë bllokuar rrugët si shenjë proteste ndërkaq Policia e Kosovës po qëndron afër tyre.

Në vitin 2016 më 14 shtator, Edita Tahiri në atë kohë ministre e Punëve të Jashtme dhe kryenegociatore në Dialogun e Brukselit me Serbinë, kishte nënshkruar marrëveshjen e reciprocitetit për targa të automjeteve në mes dy vendeve.

“Me këtë marrëveshje është vendosur parimi i reciprocitetit në tabelat e automjeteve në mes të dyja shteteve, që do të thotë se çfarë vlen për tabelat e njërit shtetet do të vlejë edhe për tabelat e shtetit tjetër, si dhe kjo marrëveshje i jep fund përdorimit të tabelave “prova” të cilat njëanshëm ishin vendosur nga ana e Serbisë ndaj veturave me regjistrimin RKS të Kosovës”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë bërë në vitin 2016, në kohën kur u nënshkrua kjo marrëveshje.

Ndërkaq pika pesë e kësaj marrëveshje thotë se, “Kosova do të zgjasë validitetin e tabelave KS për pesë vite në fund të së cilës çështja do të shqyrtohet nga të dyja palët (me ndihmën e BE-së nëse kërkohet)”.

Pas situatës në veri të vendit ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla duke thënë se veprimet janë si rrjedhojë e skadimit të marrëveshjes.

“Veprimet kanë për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë- konkretisht targave të automjeteve. Me këtë rast, MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2016, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare”, ka thënë Sveçla.

Sveçla pas situatës në veri të Kosovës: Situata është e qetë, Policia po siguron lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave