Pamje nga takimi Bislimi -Hækkerup. Foto: ZKM.

Marrëveshja për burgje, zv.kryeministri Bislimi takohet me ministrin danez

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim ministrin e Drejtësisë të Mbretërisë së Danimarkës, Nick Hækkerup.

Në takim është biseduar për avancimin e marrëveshjes ndërkombëtare dypalëshe për dhënien në shfrytëzim të qelive për të burgosurit nga Mbretëria e Danimarkës, marrëveshje kjo e cilësuar si një bazë solide për bashkëpunimet e radhës.

Më herët KALLXO.com ka raportuar se në marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Danimarkës, për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për 300 të dënuar. Nga kjo, Kosova do të përfitojë 210 milionë euro.

Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi gjithashtu progresin e arritur nga Kosova në disa fusha, si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsioni dhe zhvillimi ekonomik.

“Ministri Hækkerup vlerësoi angazhimin e Republikës së Kosovës dhe konfirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Danimarkës për përkrahje në fusha të ndryshme zhvillimore, projekte të ardhshme të mundshme, si dhe në rrugën evropiane dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Më tej në njoftim thuhet se zëvendëskryeministri Bislimi foli për objektivat e Qeverisë së Kosovës për të ardhmen evropiane, të cilat janë integrimi në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, si dhe nevoja e liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.