Albin Kurti nesër takohet me komandantin e KFOR-it

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë që nesër do të takohet me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Michele Risi pas publikimit të marrëveshjes së vitit 2013.

“Qëndrimi jonë është për Aleancën e pashkëputshme me NATO-n, nesër në mëngjes takoj komandantin e KFOR-it, një takim i aranzhuar tashmë dhe FSK-ja, KFOR-i, NATO-ja janë gjithmonë bashkë dhe në të njëjtën anë”, tha Kurti.

Kurti theksoi se shqetësimi i tij dhe kabinetit të tij është që kjo marrëveshje është mbajtur sekrete nga ana e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, aktualisht President i vendit.

Albin Kurti ka publikuar një marrëveshje sekrete që Hashim Thaçi e kishte arritur me NATO-n më 19 prill të 2013, në ditën kur ish-kryeministri Thaçi kishte nënshkruar në Bruksel një marrëveshje me ish kryeministrin serb, Ivica Daçiq, në kuadër të dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me Implikimet kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm z. Hashim Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, z. Anders Fogh Rasmussen.

Përmes kësaj marrëveshje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.

Dosja e marrëveshjeve sekrete të Hashim Thaçit që i ndalon FSK-së të shkojë në veri