Marrëveshja Kosovë-Serbi, Scholz: Procesi do të përfundojë me sukses

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, beson se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të përfundojë së shpejti me sukses, për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Berlin, Scholz u shpreh se plani-franko gjerman mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe SHBA.

Ai ka shtuar se propozimi  është gjithëpërfshirës dhe “shumë i peshuar i Gjermanisë dhe Francës”.

Sipas kancelarit gjerman, propozimi “mbështetet nga BE, SHBA dhe që e gjeti pasqyrimin e tij edhe në vendimet e Këshillit Evropian në Bruksel, Në këtë kuadër, unë besoj që ky proces do të përfundojë së shpejt me sukses”.

Ndërkohë edhe Rama u shpreh se Shqipëria mbështet plotësisht planin evropian të paqes mes Kosovës dhe Serbisë si zgjidhja e vetme.

“Shqipëria, qeveria jonë, unë personalisht e mbështesim fuqimisht planin e paqes dhe normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, është një plan shumë përmbajtësor dhe realist”, tha Rama. /Telegrafi