Foto: Hashim Thaçi /Twitter

Marrëveshja Kosovë-Serbi për hekurudhat dhe autostradat, reagon Ramush Haradinaj

Ish-Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes së sotme mes Kosovës dhe Serbisë për hekurudhat dhe autostradat.

Haradinaj ka theksuar se tanimë është e nevojshme njohja e ndërsjellë e të dyja vendeve.

“Duartrokas Richard Grenell dhe presidentin Trump për vizionin dhe udhëheqjen në lehtësimin efektiv të normalizimit funksional të hekurudhave dhe autostradave që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Tani është e nevojshme finalja e madhe: Njohja e ndërsjellë, ashtu siç ka theksuar me të drejt presidenti Trump në dy letrat e vitit të kaluar”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë  e tij në Twitter.

Në anën tjetër, deri më tani nuk ka pasur një qëndrim nga kryeministri Albin Kurti lidhur me këtë marrëveshje.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Zyrën e Kryeministrit, por nuk ka marr përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Në Munih të Gjermanisë mëngjesin e sotëm është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për linjën hekurudhore dhe për autostrada me ndërmjetësim të të dërguarit të posaçëm të Presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, për negociatat Prishtinë-Beograd.

Në takim kanë marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq, si dhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Ndërkaq, marrëveshja është nënshkruar mes përfaqësuesve të të dyja vendeve, nga Kosova të emëruarit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nga ish-ministri Pal Lekaj dhe nga pala serbe, Marko Gjuriq, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Kurse, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur moment historik nënshkrimin e marrëveshjes për hekurudhat dhe autostradat Kosovë-Serbi.

Thaçi përmes një publikimi në Twitter për këtë marrëveshje ka falënderuar presidentin amerikan Donal Trump dhe të dërguarin e tij të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

“Një tjetër moment historik! Së pari, marrëveshja për trafikun ajror dhe sot kemi nënshkruar marrëveshjen për hekurudhat dhe autostradat Kosovë dhe Serbi. Faleminderit Donald Trump  për udhëheqjen tuaj, dhe Richard Grenell  për vendosmërinë”, ka shkruar ai.

Sipas presidentit Thaçi, ky është një hap i shkëlqyeshëm drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare paqeje midis dy vendeve.

Marrëveshja për linjën hekurudhore dhe për autostrada vjen pak javë pas nënshkrimit të asaj për linjë ajrore Prishtinë-Beograd.