Marrëveshja finale Kosovë-Serbi, Scholz thotë se po bëjnë të pamundurën për ta arritur

Kancelari Olaf Scholz ka thënë se së bashku me qeverinë franceze dhe Komisionin Evropian janë duke bërë të pamundurën për të arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Scholz tha se që të dy vendet duhet ecur përpara.

“Duhet arritur një marrëveshje, ne dhe qeveria franceze dhe KE po bëjmë të pamundurën që ta realizojmë një gjë të tillë, jemi përfshirë në mënyrë shumë aktive, dhe shpresojmë që shumë shpejtë të dyja qeveritë do të ecin përpara, kjo është diçka që duhet të kemi durim dhe na duhet të bëjmë shumë përpjekje”- tha ai.

Sot në Berlin, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar 3 marrëveshje të përbashkëta rajonale.

Marrëveshjet e nënshkruara janë: marrëveshja për lëvizjen e lirë me karta identiteti për shtetasit e rajonit, njohja e diplomave universitare, dhe njohja e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve,

Nënshkrimi i këtyre 3 marrëveshjeve mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, vie pas gati dy viteve negociata.

Sot në kryeqytetin gjerman, Belin do të mbahet Samiti i Berlinit, ku nikoqir është kancelari gjerman Olaf Scholtz.

Procesi i Berlinit u themelua në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares Angela Merkel.

Kjo iniciativë kishte qëllim krijimin e platformës për bashkëpunim të nivelit të lartë midis përfaqësuesve të lartë zyrtarë  “Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor” ku bëjnë pjesë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Procesi përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile të rajonit.

Samiti i ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit pritet të mbahet, vitin tjetër, në Tiranë.

Nënshkruhen tri marrëveshje mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor