Marrëdhënia në lulëzim e sipër ndërmjet Greqisë dhe Kosovës

Vizitat e shpeshta në Prishtinë dhe Athinë nga zyrtarë grekë dhe kosovarë i kanë bërë shumëkë kureshtarë nëse njohja po duket diku në horizont.

Ndërveprimet midis Kosovës dhe Greqisë janë bërë gjithnjë e më të shpeshta në gjysmën e parë të vitit 2021.

Vizita e Kryeministrit Albin Kurti në Greqi javën e kaluar, gjatë së cilës ai u prit në Athinë nga homologu i tij grek, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, u bë pas një serie vizitash të ndërsjella midis zyrtarëve të të dyja vendeve.

Si pjesë e vizitës të tij njëjavore, kryeministri Kurti takoi një numër të madh zyrtarësh grekë, përfshirë edhe Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare dhe udhëheqësin opozitar, Alexis Tsipras.

Kjo marrëdhënie dypalëshe e cila po zhvillohet gjithnjë e më shumë, e ka bërë kureshtar shumëkë nëse Greqia është afër njohjes zyrtare të Kosovës, gjë që mund të jetë si diçka befasuese marrë parasysh faktin se të dyja vendet nuk ndajnë saktësisht një histori të lidhjeve të ngushta diplomatike. Në fakt, pozicioni i Greqisë ka qenë gjithmonë i ngulitur në diçka si ‘status quo’ në lidhje me pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ndërkombëtare pastaj.

Si vend anëtar i BE, Greqia ka deklaruar se është e hapur për njohjen e Kosovës vetëm pas finalizimit të marrëveshjes së normalizimit me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE, e cila kishte paraqitur probleme për progres në drejtim të krijimit të partneriteteve dhe bashkëpunimit. Një kombinim i hezitimit nga ana e Greqisë si dhe angazhimit pasiv të Kosovës dhe politikës së jashtme inerte kanë rezultuar në marrëdhënie stagnuese midis dy shteteve për një kohë.

Sidoqoftë, duket se gjërat ndryshuan për të mirë në qershor të këtij viti kur Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias vizitoi Kosovën, vizita e tij e dytë në më pak se një vit. Gjatë vizitës së tij ai shprehu gatishmërinë e vendit të tij për ta ndihmuar Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave duke e cituar mendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës, i cili u perceptua si një tregues i një njohje pashmangshmërisht të mundshme.

Pas kësaj, Zyra për Çështje Ekonomike dhe Tregtare të Kosovës në Athinë ka kaluar në nivel të një Zyrë të Interesave, duke përfshirë fushën politike si kryesoren për një bashkëpunim ekonomik, bashkëpunim ky të cilin të dyja vendet e kanë inkurajuar gjatë viteve.

Kjo miqësi në rritje në marrëdhëniet mes tyre provokoi një reagim në Beograd, me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq i cili ka deklaruar se po pret nëse hapja e zyrës së re  nënkupton diçka më shumë midis Greqisë dhe Kosovës, mirëpo njëkohësisht ofroi sigurinë se Greqia nuk do ta njohë Kosovën. Ndërkohë, Ambasadori Amerikan në Greqi e ka vlerësuar angazhimin e Kosovës dhe Greqisë për thellimin e marrëdhënieve.

Greqia shpesh ka përdorur një diskurs shumë të kujdesshëm në raport me çështjen e Kosovës. Ajo është përpjekur ta ruajë aleatin e saj të vjetër dhe tradicional, Serbinë, pjesërisht për shkak të çështjes së Qipros Veriore dhe pjesërisht për shkak të historisë së përbashkët të dyja vendeve, ndërkohë që është kujdesur që të mos krijojë marrëdhënie të pariparueshme me Kosovën.

Frika e ndarjes nga Qiproja Veriore e ka shoqëruar natyrshëm refuzimin e Greqisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës, një argument i përdorur si referencë nga shumë vende të tjera, përveç Greqisë. Sidoqoftë, pasi situata e Kosovës nuk mund të krahasohet me mosmarrëveshjet e vendeve të tjera, pasi që është një rast sui generis në vetvete, ashtu siç është themeluar nga Këshilli Evropian, kjo nuk duhet të jetë pengesë për njohjen në të ardhmen.

Sa i përket bashkëpunimit financiar dhe tregtar, të dyja vendet, duke qenë gjeografikisht afër, kanë punuar së bashku drejt zhvillimit. Për Greqinë, rritja ekonomike vjen paralelisht me stabilitetin, dhe angazhimi i saj për përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe përpjekja për zhvillimin rajonal dhe stabilitetin ka qenë një politikë e saj në vazhdimësi.

Në fakt, në të kaluarën votimi i Greqisë ka bërë të mundur që Kosova të jetë pjesë e Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe institucioneve të tjera ekonomike ndërkombëtare, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës. Greqia po ashtu aktualisht është pjesë e EULEX-it si dhe pjesë e misionit të KFOR-it në NATO.

Zyra Ndërlidhëse Greke në Kosovë, e cila funksionon në vend të një Ambasade, por në nivel Ambasadorësh, gjithashtu ka autoritetin për të lëshuar viza dhe kjo e ka bërë më të lehtë për shumë kosovarë ta vizitojnë Greqinë si një destinacion turistik. Kjo zyrë gjithashtu ka lehtësuar lëvizjen e studentëve dhe investitorëve dhe ka hapur rrugën për zgjerimin e lidhjeve kulturore.

Ndërkohë që shumë vende jonjohëse kanë qenë fuqimisht kundër pranimit të qytetarëve të Kosovës, Greqia e ka lehtësuar këtë gjë qysh nga fillimi. Në thelb, në këtë pikë, Greqia dhe Kosova kanë bashkëpunuar në pothuajse çdo fushë, duke e lënë vetëm njohjen e Kosovës nga Greqia që të arrihet në një të ardhme për ti forcuar lidhjet diplomatike.

Sipas Ioannis Armakolas nga Fondacioni Grek për Politikë Evropiane dhe të Jashtme, Kosova duhet të vazhdojë me krijimin e urave të bashkëpunimit midis dy vendeve, ndërkohë që zbut presionin për njohje.

Pavarësisht paralajmërimit të Armakolas, apeli i fortë për njohjen e Kosovës nga Greqia është shumë evident. Përveç se është një partner strategjik kur bëhet fjalë për përmirësimin e ekonomisë, ndihma e Greqisë mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme për Kosovën kur bëhet fjalë për integrimin në organizatat ndërkombëtare të tilla si BE dhe NATO. Greqia, së bashku me Qipron, është në mesin e pesë vendeve mosnjohëse të BE dhe katër vendeve të NATO-s.

Nga këndvështrimi grek, njohja e Kosovës do të përkonte me miratimin e shumë vendeve perëndimore, përfshirë partnerët dhe aleatët e fuqishëm të Kosovës, dhe do të konsiderohej një kontribut i vërtetë për perspektivën e saj për paqen dhe prosperitetin rajonal.

Për ta përmbyllur bashkëpunimin e ngushtë të kohëve të fundit dhe për t’i zyrtarizuar lidhjet dypalëshe, mbetet vetëm që Greqia të rreshtohet në radhët e atyre vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kanë vendosur lidhje diplomatike. Deri atëherë, Kosova duhet ta ruajë politikën e saj të partneritetit të ngushtë dhe korrespondencës me Greqinë në fusha të shumta me interes të përbashkët.

Klarisa Fetahu është e diplomuar për drejtësi në Universitetin e Prishtinës, ka punuar për shoqërinë civile të Kosovës dhe aktualisht është studiuese e politikës së jashtme.

Opinionet e shprehura janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.

 

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Prishtina Insight